Këtë të martë rikthehet Liga e Kampionëve, kompeticioni i kompeticioneve në nivel klubesh, një turne që Barça aspiron ta fitojë sërish, pasi ka rritur nivelin e skuadrës. Pas tetë vitesh nga triumfi i fundit dhe pas dy sezonesh radhazi pa e ditur se si është kapërcimi i fazës së grupeve Blaugranët kanë synime të mëdha.
“Është një objektiv, ne duam ta fitojmë, por Xavi nuk e ka nën kontratën e tij. Nuk ka detyrim për ta fituar Champions-in, por ka detyrimin për të konkurruar”, – shpjegoi Deco në ditën e prezantimit të tij si drejtor i ri sportive te Barça.
Ndërsa pret debutimin e kësaj të marte kundër Royal Antwerp në Montjuïc (21:00) dhe sa larg mund të shkojë në këtë edicion 2023-2024, Xavi Hernández ruan një rekord të paprekur me Barçën në Ligën e Kampionëve si lojtar, një nga të paktët me të cilët Leo Messi nuk mburret.
Trajneri aktual i Barcelonës vazhdon të jetë lojtari që ka luajtur më së shumti ndeshje me fanellën blaugrana në kompeticionin më të lartë europian për klubet. Xavi kryeson renditjen me 157 ndeshje, tetë më shumë se Leo Messi (149) dhe 25 më shumë se Andrés Iniesta (132), i cili plotëson podiumin. Më pas janë Sergio Busquets (129), Pique (126) dhe Puyol (120).