E diel, 17 Nëntor, 2024

Rrahje në “Prishtina Mall”: Shefi i një lokali dhe vëllai i tij dyshohen se sulmuan punëtorin që ua kërkoi rrogën

Mosmarrëveshjet mes punëdhënësve dhe punëtorëve janë goxha të shpeshta në vendin tonë dhe motivet jo rrallëherë dalin të jenë për shkak të pagave. Konfliktet e tilla verbale përfundojnë edhe në përleshje, për çka të dyshuarit futën në telashe. Kështu dyshohet se ka ndodhur edhe gjatë ditës së djeshme në objektin e qendrës tregtare që pritet të hapet edhe pak ditë, Prishtina Mall, në magjistralen Prishtinë – Ferizaj, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se dy vëllezër kanë rënë në prangat e Policisë, njëri prej të cilëve punëdhënës, nën dyshimin se  kanë sulmuar fizikisht një punëtor 26-vjeçar, teksa po punonin në një lokal.

Sinjali mëson se incidenti ka ndodhur paradite, ku intervenoi edhe Policia, me ç’rast viktima u dërgua në Qendrën Klinike Universitare për trajtim mjekësor, kurse dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Bazuar në dëshminë e viktimës, të dhënë para hetuesve policorë, shefi i tij A.H., bashkë me vëllain e tij, Xh.H., e kanë rrahur me grushte dhe çekan, pas një mosmarrëveshje që kanë pasur për pagesën  për punët e kryera. Punëtori po pretendon se u sulmua nga shefi pasi ia kërkoi pagën e tij, gjë që i kushtoi me sulm, duke pësuar kështu lëndime trupore.

Përveç tyre, edhe të dyshuarit janë intervistuar për veprën për të cilën dyshohen dhe kanë dhënë versionet e tyre se si ndodhi ngjarja.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e dy vëllezërve të dyshuar dhe inicimin e rastit ndaj tyre për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer