Tuesday, June 17, 2025

Rrahje, rezistencë ndaj policisë dhe arsenal armësh në Vushtrri – tre të arrestuar, dy policë të lënduar

Një rast i dhunës në familje në rrugën “Bahri Kuqi” në Vushtrri ka eskaluar në sulm ndaj policisë, me pasoja serioze për zyrtarët e rendit dhe zbulim të armëve të shumta në një familje. Ngjarja ka ndodhur më 16 qershor 2025, rreth orës 09:00.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, gjithçka ka nisur kur një grua ka kërkuar ndihmën e Policisë, duke raportuar se ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti dhe vjehrri i saj. Në momentin kur njësia policore ka ndërhyrë, situata ka dalë jashtë kontrollit.

Në vendin e ngjarjes, policët janë përballur me rezistencë aktive nga të dyshuarit Y.A, 30-vjeçar, Y.A, 24-vjeçar dhe Sh.A.

Për shkak të rezistencës, njësia policore është detyruar të përdorë sprej OC për neutralizimin e të dyshuarve.

Gjatë ndërhyrjes, dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, ndërsa njëri prej tyre është dërguar për trajtim të specializuar në QKUK.

Pas arrestimit të tre personave, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është kryer kontroll në shtëpinë e të dyshuarve, ku është gjetur dhe konfiskuar një arsenal armësh: një armë e gjatë, një armë gjahu, një armë ajrore, një hark me shigjeta dhe një sasi e konsiderueshme municioni.

Sinjali ka konfirmuar se viktima ka pranuar trajtim mjekësor për lëndimet që ka pësuar nga dhuna, ndërsa aktualisht është strehuar te familja e saj së bashku me dy fëmijët e mitur (njëri 4-vjeç dhe tjetri 1-vjeç).

Tre të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë dhe rasti është iniciuar për tri vepra penale: Pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, Lëndim i lehtë trupor, Mbajtje, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve dhe përdorim i mjetit të rrezikshëm.

Hetimet janë në vazhdim nga Njësia Rajonale e Hetimeve në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer