150 persona janë ndaluar në një operacion të gjerë të Policisë së Kosovës, të premten në Prizren, nën dyshimet për manipulim të votave në zgjedhjet e fundit nacionale, ka kuptuar VOX Kosova nga burimet brenda organeve të rendit.
Mes të ndaluarve është edhe djali i deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, të cilit, pas rinumërimit, i dolën mijëra vota më tepër sesa realisht kishte në kuti të votimit.
Të gjithë të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë.
Mirëpo, po raportohet se aktualisht nuk ka hapësirë në qendrat e mbajtjes për gjithë këta të arrestuar.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar Prokurorinë se nuk ka hapësirë dhe do të shqyrtohet ndonjë zgjidhje e shpejtë.
Ky aksion i Policisë, që është zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, vjen disa ditë pasi që organet e rendit autorizuan mbledhjen e provave pasi që rinumërimi i votave shpërfaqi manipulimet e votave të kandidatëve për deputetë.