Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputete, Rrezarta Krasniqi, ka kritikuar ashpër qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar për izolim të vendit dhe përkeqësim të gjendjes ekonomike të qytetarëve.
Në reagimin e saj, Krasniqi ka theksuar se si pasojë e qasjes së Qeverisë Kurti, Kosova është përballur me sanksione nga Bashkimi Evropian, duke bërë që miliona euro investime të bllokohen.
Sipas saj, izolimi ndërkombëtar i shkaktuar nga Vetëvendosje ka rënduar jetën e qytetarëve, duke i varfëruar ata dhe duke e bërë jetesën gjithnjë e më të vështirë.
Kandidatja e LDK-së ka deklaruar se zgjedhjet e 28 dhjetorit do të shënojnë fundin e kësaj gjendjeje, duke e cilësuar Lidhjen Demokratike të Kosovës si alternativën e vetme për dalje nga kriza.
“Më 28 dhjetor kjo gjendje merr fund. Lidhja Demokratike e Kosovës është shpresa dhe zgjidhja që do ta nxjerrë Kosovën nga kriza”, ka deklaruar Krasniqi.