Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Samir Shahini, ka bërë të ditur se procesi mësimor është anuluar për ditën e sotme, për shkak të rrezikut për vërshime.
Sipas Shahinit, ky vendim erdhi në koordinim me kryetarin Përparim Rama, Drejtorinë e Sigurisë dhe Emergjencave, si dhe Drejtorinë e Shërbimeve Publike,.
“Të nderuar qytetarë, drejtues të institucioneve edukativo-arsimore dhe të nderuar prindër. Ju njoftojmë se për shkak të kushteve të përkeqësuara atmosferike, reshjeve të mëdha të shiut dhe vështirësive në komunikacion, në koordinim me Drejtorinë e Sigurisë dhe Emergjencave, Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe drejtorët përkatës të shkollave, procesi mësimor për ditën e sotme anulohet”, thuhet në njoftim.
“Ky vendim është marrë edhe në koordinim me Kryetarin e Kryeqytetit, dhe është masë preventive e sigurisë për fëmijët tanë. Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin”.