Pas një hetimi intensiv të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prishtinë, është finalizuar me sukses operacioni i koduar “HELLI”, ku janë arrestuar dy vëllezër nga Komorani, të dyshuar për trafikim dhe kultivim të narkotikëve.
I dyshuari i parë u ndalua fillimisht në autostradën Komoran–Prishtinë me veturë Audi A3, por tentoi t’i ikte ndalimit policor duke rrezikuar jetën e zyrtarëve. Gjatë ikjes, ai hodhi një qese me rreth 100 gramë marihuanë nga dritarja. Më pas, me autorizim të Prokurorit të Krimeve të Rënda, janë bastisur shtëpitë e të dyshuarve.
Gjatë bastisjes, tek ai janë gjetur: 300 gr marihuanë, 13 gr kokainë, peshore elektronike, qese për paketim, telefon iPhone 15.
Ndërsa tek vëllai tjetër: 660 gr marihuanë në total, 5 bimë kanabisi të gjata deri 30 cm, 740 euro cash, telefon Samsung, qindra qese për paketim.
Vlera e përgjithshme e narkotikëve të sekuestruara llogaritet rreth 6,000 euro. Të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë dhe rasti mbetet në hetim nga DHTN në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Prishtinës.