Përdersia tregjet financiare ndërkombëtare këtë vit u pwrballen me trazira financiare, madje disa banka falimentuan, në Kosovë bankat me kapital të huaj thyejnë rekod fitimesh.
Bazuar në të dhënat e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), del se sektroi i bankave në tre mujorin e parë të këtij vit ka arrit fitime mbi 40 milionë euro.
“Sektori bankar përmbylli tremujorin e parë të vitit 2023 me një fitim rekord neto prej 40.3 milionë euro. Rezultati i tillë financiar erdhi si rezultat i rritjes më të lartë të të hyrave krahas rritjes më të ngadalësuar të shpenzimeve.
Gjithsej të hyrat arritën vlerën prej 92.9 milionë euro në fund të tremujorit të parë të vitit 2023, që paraqet një rritje vjetore prej 13.1 përqind (12.0 përqind deri në mars 2022). Në rritjen e të hyrave kontributin kryesor kishin të hyrat nga interesi, që përfaqësojnë 74.4 përqind të gjithsej të hyrave.”, thuhet në raportin e BQK-së.
Sipas BQK-së, në kuadër të të hyrave nga interesi, arkëtimet nga interesi në kredi kontribuuan kryesisht në këtë rritje, kategori e ndikuar prej rritjes së theksuar të kreditimit në dy vitet e fundit.
Për më tepër, të hyrat nga investimet në letra me vlerë janë rritur theksueshëm krahasuar me periudhën e njëjtë të një viti më parë.
Ndërsa, kategoria e të hyrave nga jo interesi, kryesisht nga tarifat dhe komisionet, shënoi rënie vjetore prej 2.6 përqind pas rritjes së theksuar prej 13.8 përqind një vit më parë, duke arritur vlerën prej 20.0 milionë euro në fund të marsit 2023.