Monday, June 16, 2025

Sami Lushtaku dhe Nuredin Lushtaku në garë për kryetar të Skenderajt

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tashmë edhe zyrtarisht e ka caktuar 12 tetorin 2025 si datë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë

E pas caktimit të datës së zgjedhjeve, edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve së shpejti pritet që të miratoj planin e aktiviteteve që përket me mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale, mbi numrin e vëzhguesve, formën e fletëvotimeve, buxhetin e angazhuar dhe çështje tjera.

Derisa tashmë data është caktuar, edhe disa parti politike kanë filluar t’i caktojnë kandidatët e tyre për kryetarë të Komunave.

Në shumicën e Komunave, kryetarët aktual do të jenë kandidat për kryetar edhe për një mandat, por do të ketë Komuna ku kryetarët aktual do të zëvendësohen me emra tjerë.

Gara zgjedhore në nivel lokal pritet të jetë interesante, pasi që subjektet politike janë kujdesur që kandidatët e tyre të fortë t’i dërgojnë në Komuna të ndryshme. Madje, disa ministra të Qeverisë “Kurti 2” pritet të garojnë në nivel lokal.

Kryetari i degës së PDK-së, në Skenderaj, Sami Lushtaku shprehet se është i gatshëm t’i hyjë garës për kryetar të kësaj Komune.

Ai thotë se njëherë s’ka asgjë zyrtare përveç gatishmërisë për ta udhëhequr Skenderajn.

“Kur dalim zyrtarisht do ta kuptoni. Njëherë s’ka asgjë zyrtare. Jam i gatshëm t’i hyjë garës nëse partia është e pajtimit”, shprehet Lushtaku.

Kryetari i Listës “IDEAL”, Nuredin Lushtaku do të garojë në zgjedhjet lokale e 2025 si kandidat për kryetar të Skenderajt. Ai shprehet i bindur se do të fitojë.

Lushtaku pret përkrahje edhe nga ish-kreu i Skenderajt, Bekim Jashari.

“Po do të kandidoj me iniciativën “Ideali”, besoj që do ta kem edhe përkrahjen e Bekim Jasharit. Mos me mendu që e fitojmë nuk kandidojmë hiç”, theksoi Lushtaku.

Kryetari aktual i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka konfirmuar rikandidimin për një mandat tjetër në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.“Jam kandidat i Degës së PDK-së në Drenas edhe për një mandat. Propozimi i shkon Selisë së PDK-së, kryetarit Memli Krasniqi, i cili vendos për zyrtarizimin e këtij propozimi. Mendoj se kemi pasur unitet të lartë, vetëm një votë ishte kundër dhe një abstenim”, tha Lladrovci.

Ai shprehu bindjen për një fitore të thellë të PDK-së, duke përmendur sukseset e komunës në performancë gjatë viteve të fundit.

“Pritjet e mia janë të lidhura me fitoren bindëse të PDK-së, të vetmes degë në nivel nacional e cila i ka fituar të gjitha zgjedhjet nga çlirimi i vendit deri sot, ashtu do të vazhdojmë, bashkë me qytetarët dhe strukturat e degës më të organizuar, drejt sukseseve të reja si komuna me performancën më të mirë për gjashtë herë, brenda shtatë viteve që ekziston kjo garë”, u shpreh Lladrovci.

Ilir Ferati, kryetar aktual i Komunës së Istogut, do të jetë sërish kandidat për të parin e kësaj Komune. Ai u shpreh optimist për garën, duke thënë se puna katër vjeçare do të ndikojë në fushatë.

“Kemi procedura brenda partisë, kandidaturat nominohen nëpër degë dhe pastaj aprovohen prej kryesisë qendrore. Besoj që e marr aprovimin unë e kam shprehë dëshirën për rikandidim. Punët e mira që i kemi bërë gjatë katër viteve tregojnë për optimizmin që kam dhe komunikimin me qytetarët dhe puna që bëhet gjatë fushatës edhe prezantimin e punëve të kryera dhe prezantimin e planit të qytetit të Istogut”, u shpreh Ferati.

Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti është shprehur se e respekton vendimin e partisë dhe me çdo kusht nuk e do kandidaturën.

Haliti është i gatshëm edhe për një mandat.

“Unë jam i bindur se kandidaturën nuk e dua me çdo kusht, por pas konsultimit. Nuk ka nevojë me u ngutë pa e respektu vendimin e partisë dhe strukturave. Kryetari i komunës nuk është partiak, është i qytetarëve dhe duhet bërë debat edhe përtej partisë. Jam i bindur se duhet me e ndjekë procedurën demokratike për debat. Unë jam i gatshëm të kandidoj pas gjithë këtyre”, u shpreh ai./Front Online

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer