Një konfuzion mes ‘fantazisë’ dhe ‘realitetit’ është shpërfaqur sërish me anë të tastierave të deputetëve të partisë në pushtet, Vetëvendosjes. Ata po shajnë mediat vendore për një artikull të sponzorizuar në revistën prestigjioze britanike The Economist. Dhe merreni me mend, një artikull ku shpërndahet e vërteta e partive kundërshtare të saj, LDK-së, PDK-së, AAK-së, e kështu me radhë.
U zbulua për të disatën herë me radhë uji i vakët. Në krye të këtij ‘zbulimi’ ishte Artan Abrashi dhe Fitore Pacolli. Më pas, edhe Arlind Manxhuka. Më pas ndoshta karvanit do t’i bashkohen edhe shumë e shumë të tjerë.
The Economist – revista prestigjioze britanike – e kishte botuar një artikull ku e lavdëronte ekonominë e Kosovës.
E vërtetë. Ai titullohet “Kombi i start-upeve – Qysh kompanitë kosovare po kapërcejnë pritjet për ta çuar shtetin përpara”
Është artikull i sponzorizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës. Një organizatë që mbledh biznese vendore, shumë prej të cilave e kanë kritikuar Qeverinë Kurti për qasjen e saj kundër bizneseve.
“Me përjashtim të vitit pandemik të 2020-s, Kosova ka përjetuar zhvillim ekonomik të pandërprerë, duke i teklauar shumë prej fqinjve në Ballkan,” – shkruhet në këtë artikull. Pra, Kosova s’ishte zi e terr siç e bënte VV-ja. S’ishte asnjëherë. Vazhdimisht pati zhvillim ekonomik. Kështu thotë artikulli. Por, s’e thotë dot VV-ja.
Por, t’i lëmë këto njëherë. Të merremi me tastierat e deputetëve të VV-së.
“…këtë lajm me siguri nuk do ta lexoni në shumë kazane të Kosovës.” – shau deputet Artan Abrashi duke shpërndarë artikullin e The Economist.
Ja, po e lexoni. Në fakt, nuk do ta lexoni te Artan Abrashi që po përpiqet të ju mashtrojë. Ai s’e thotë asnjë fjalë për artikullin por e prezanton në mënyrë mashtruese të vërtetën e tij.
Dhe përveç Artanit është edhe Fitorja.
“Në raportet ndërkombëtare e revista prestigjioze botërore Kosova po vlerësohet shembull në Ballkan. Ndërsa në Kosovë në titujt e portaleve shkruhet krejt e kundërta. Derisa analistët e opozita po tregojnë se sa keq është ekonomia e Kosovës, revista britanike “The Economist” ka shkruar se Kosova me rritje ekonomike ka tejkaluar fqinjtë ballkanikë.” – shau deputete Fitore Pacolli, si duket pa u lodhur që ta lexonte artikullin.
Ai që lavdërohet në këtë artikull është shpirti i ndërmarrësve të Kosovës. Pra, shpirti i biznesmenëve të rinj që hapin biznese të reja. Jo shpirti i Qeverisë. Jo shpirti i Albin Kurtit. Edhe më jo ai i Fitore Pacolllit.
Aty përmenden një varg biznesesh kosovare me emër, që kanë korrur sukses. Se Kosova është vend ku hapen biznese të reja, me një gjallëri të madhe të bizneseve, kjo është thënë në shumë e shumë raste por nga partitë kundërshtare të VV-së. Jo nga VV-ja. Madje, VV-ja në shumë raste ka përdorur gjuhë problematike e kriminalizuese ndaj bizneseve të ndryshme.
Por, ka edhe një fakt tjetër. Albin Kurti e Qeveria e tij nuk përmenden askund në artikull. Edhe sikur të përmendeshin, sikur t’i jepej ndonjë meritë, artikulli në fjalë është i sponzorizuar dhe kjo shkruhet qysh në fillim.
“Kontenti i përshtatur është shkruar, prodhuar apo kuruar qoftë nga një sponzor apo nga Studiot EI, vizioni i përshtator i Economist Impact. Të tilla vendosje në mënyrë të qartë etiketohen si Reklama, pjesë e Reklamash, përmbajtje e Sponzorizuar, perspektivë e Sponzorizuar apo fjalë të ngjashme kurdo që paraqiten në uebsajtin apo aplikacionet tona. As ekipi redaktorial e as ekipi i lajmeve e as ekspertët e pavarur të Economist Impact nuk janë përfshirë në asnjë formë në krijimin e kësaj përmbajtjeje.”
Eh pra. E lexuat. E patë. E morët vesh. A do të dëgjoni ndonjë kërkimfalje nga Abrashi apo Pacolli ndaj mediave? Jo, nuk do të dëgjoni. Gjuha e rëndë ndaj medieve të Kosovës po vazhdon nga eksponentët e pushtetit, dhe si duket edhe do të vazhdojë. Ky është një ilustrim tjetër se si përdridhen të vërtetat në mënyrë që sulmi të duket pak më i besueshëm.
Në artikullin në fjalë përmendet edhe Dua Lipa. Qe lexojeni fjalinë:
“Ndoshta anëtarët më të famshëm të diasporës kosovare janë pop-yjet Dua Lipa dhe Rita Ora, të dyja të rritura në Britaninë e Madhe nga prindërit kosovarë. Dua Lipa ishte emëruar ambasadore e Kosovës në vitin 2022 për punën e saj në rritjen e ndërgjegjësimit për vendin. Ajo u kthye në atdheun e saj në muajin gusht të atij viti për të performuar në Sunny Hill Festival, një ngjarje që e mban për çdo vit në Prishtinë.”
A e dini kush bëri problem me Dua Lipën e Sunny Hill Festivalin? Ishte bash Qeveria Kurti. Pra, artikulli në fjalë në asnjë formë nuk e afirmon punën e Qeverisë. Por, deputetët e VV-së në rastin më të mirë lexojnë vetëm titujt. E në rastin më të keq mashtrojnë duke e ditur se po mashtrojnë.