Çkapja e administratës publike nga ndikimi politik ishte njëra ndër premtimet e Vetëvendosjes sa ishte në opozitë. Por me ardhjen ne pushtet në vitin 2021, si duket gjërat kanë marrë kahje të kundërt.
Veriu.info ka zbuluar se sekretarja organizative e Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë, Aida Ferati Doli është punësuar si Zyrtare për regjistrim civil në Agjencinë për Regjistrim Civil në Mitrovicën e veriut.
Në një dokument të siguruar nga Veriu.info, shihet se Aida Ferati Doli është ndër katër kandidatët e punësuar në një konkurs të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ministër i së cilës është Xhelal Sveçla.
Në një postim në Facebook të bërë në mars 2021, Aida Ferati Doli, kishte shkruar: “E ku ka më mirë se me pas Ministër të Punëve të Brendshme si Xhelal Sveçla”.
Kjo thënie e saj u shpërblye me punësimin e saj pikërisht nga ministria e drejtuar nga Xhelal Sveçla.
Më datë 17.05.2024 Njësia për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore e MPB-së, ka shpallur fitues të konkursim për punësim kandidatët: Valentin Dishpalli, Aida Ferati Doli, Gentiana Haziri Ismajli dhe Ernisa Ahmeti.
Përveç sekretare organizative e LVV në Mitrovicë, Aida Ferati Doli është edhe asambliste e kësaj partie në Kuvendin Komunal të Mitrovicës.
Veriu.info ka gjetur se ky nuk është punësimi i parë i Aida Doli Ferati në MPB-në e udhëhequr nga Xhelal Sveçla, pasi që ajo në këtë ministri ishte punësuar edhe në vitin 2022 si zyrtare administrative.
Por ajo çka ngjallë shumë dyshime për manipulim të konkursit është fakti se që në të dy konkurset në të cilat Aida Ferati Doli është punësuar si zyrtare e MPB-së, në të njëjta është punësuar edhe një zyrtare me emrin Ernisa Ahmeti.
Ndryshe, gjatë qeverisjes komunale të LVV në Mitrovicën e jugut në mandatin e kaluar, Aida Ferati Doli ishte drejtoreshë komunale.
“Rahatimi” i zyrtarëve të VV në Mitrovicë nëpër pozita kyqe shtetërore nuk është risi. Kjo pasi që edhe ish kryetari i VV në Mitrovicë, Faruk Mujka, tani asamblist i kësaj partie në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së jugut, në fundit të vitit 2022 ishte zgjedhur kryeshef ekzekutiv i ndërmarrja publike qendrore “Ibër Lepencë”.