Të hënën është arrestuar ortopedi Sami Delijaj nga Abria e Drenasit – mjek në QKUK, nën dyshimin për marrje ryshfeti.
Në raportin e policisë, thuhet se nga i njëjti në cilësi të provave janë sekuestruar një shumë e të hollave, një celular si dhe disa pajisje mjekësore.
Delijaj është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, të cilët kanë deklaruar se Departamenti për Krime të Rënda, konkretisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka urdhëruar ndalimin e personit me inicialet S.D., në cilësinë e mjekut në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.
Pas arrestimit të Delijajt, Shërbimi Klinik Universitar i Kosovës ka paralajmëruar ndërmarrjen e masave lidhur me rastin.
“Drejtoria e ShSKUK-së është duke e përcjellë me vëmendje këtë situatë dhe do të ndërmarr të gjitha veprimet ligjore. Shkelësit e ligjit nuk kanë vend në institucionet publike shëndetësore”, tha ShSKUK-ja në një reagim të hënën.
Ortopedi Delijaj, në vitin 2018 i ishte bashkuar partisë NISMA Socialdemokrate.
Kjo është bërë e ditur nga një postim në Facebook, i shpërndarë nga partia me 5 tetor 2018, që tregonte se kryetari i Këshillit Kombëtar, Jakup Krasniqi dhe ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, njëherësh kryetar i degës së NISMA Socialdemokrate në Prishtinë, Skender Reçica, kishin pritur në takim ortopedin Sami Delijaj.