Gazeta Sinjali raportoi sot për një ngjarje të rëndë e cila ka mundur të përfundojë tragjikisht pasi mbrëmë në rrugën ‘Tahir Meha’ në Ferizaj, një person dyshohet se i ka dalë në pritë një 27-vjeçari dhe të njëjtin e ka sulmuar fizikisht.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është Fatmir Gurgurovci, 57 vjeçar.
Burimet brenda Prokurorisë, bëjnë të ditur për Sinjalin se e gjithë ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00, kur sipas dëshmisë së viktimës, kishte shkuar për të marrë motrën e tij në qendrën tregtare e cila ndodhet në magjistralen Ferizaj – Prishtinë.
Në ato momente, ishte paraqitur para 27-vjeçarit një person, i cili e kishte pyetur se përse ia ka shikuar vajzën dhe të njëjtin e ka kërcënuar se mund ta vrasë. Po ashtu i dyshuari në të njëjtën kohë e ka sulmuar fizikisht duke e goditur në gjoks, por për t’i ikur konfliktit, viktima ka deklaruar se është larguar që aty me veturën e tij.