Komuna e Drenasit pritet të marrë pamje krejtësisht ndryshe në pranverën e vitit 2025, kur edhe do të bëhet finalizimi i sheshit “Xhevë dhe Fehmi Lladrovci”.
Kështu të paktën pohon kryetari i kësaj komune Ramiz Lladrovci.
Lladrovi në një përgjigje për Telegrafin, tregoi për ecurinë e procesit dhe pengesat në të cilat po hasë ky projekt i nisur tash e një vit.
“Projekti është duke vazhduar në bazë të planit dinamik të punimeve. Kanë përfunduar punimet nëntokësore si: kanalizimi atmosferik e fekal, ndriçimi, ujësjellësi si dhe shtrirja e rrjetit të postës, ndërtimi i lokaleve përball QKMF-së si dhe nivelizimi i terrenit me zhavorr. Punimet janë duke vazhduar në rregullimin e skajoreve edhe punimet finale. Aktualisht punimet me intensitet të lartë janë në pjesën ku është zgjeruar sheshi, për të lehtësuar punën e bizneseve të cilat operojnë në atë pjesë. Po ashtu është duke u punuar edhe në rregullimin e bazamenteve të lokaleve- kioskave në qendër të sheshit”, tha ai.
Ani pse sheshi përmban zgjidhje të jashtëzakonshme arkitekturore, pengesat në punime nuk po mungojnë. Sipas Lladrovcit deri më tani pengesat kanë qenë vetëm teknike por që janë evidentuar me kohë.
“Pengesat gjatë zhvillimit të punimeve kanë qenë kryesisht teknike, sidomos te pjesa e instalimeve nëntokësore. Pengesa të tjera nuk kemi pasi që të gjithë hapat paraprak janë ndërmarrë me kohë. Planifikimet tona kanë qenë më ambicioze, por, rrethanat nuk kanë lejuar. Niveli i sheshit ka qenë nën nivelin e lumit dhe e patëm të pamundur të bëjmë rrugë e parkingje nëntokësore”, tha ai.
Lladrovci nuk harroi ta përmend edhe luftën e lavdishme në Drenicë e krahas kësaj, sipas tij qytetarët e Drenasit e meritojnë më të mirën dhe përmes këtij sheshi i cili do të përmbajë tetë shtatore të cilat do ta prezantojnë historinë e lavdishme.
“Qytetarët e Komunës së Drenasit me kontributin e vet shekullor, në veçanti në luftën çlirimtare, me dëshmorë e martirë, meritojnë të kenë ambiente të shkëlqyeshme, të krahasueshme me sheshet më të bukura në nivel të Kosovës dhe më gjerë. Sheshi “Fehmi Lladrovci” ka tetë shtatore të cilat prezantojnë historinë tonë të re. Fundja, Drenasi është zemra e Kosovës dhe sheshi do të jetë dëshmia” tha Lladrovci.
Finalizimi i Sheshit “Fehmi Lladrovci” pritet të bëhet në pranverë të vitit 2025, dhe financimi i tij ka qenë i lidhur me grantin e performancës dhe të hyrat vetanake.