Gjatë ditës së djeshme, nga policia u ndaluan tre zyrtarë të Komunës së Prishtinës. Nën dyshimin se keqpërdorën detyrat zyrtare, prangat iu vendosën shefit të personelit të Komunës së Prishtinës, Fadil Aliu- Hereticës, ish-drejtorit të Qendrës për Punë Sociale, Vebi Mujkut si dhe shefes së Njësisë së Shërbimeve Sociale,Valbona Makiqit. Për këto arrestime ka reaguar ‘e shqetësuar’ dega e Vetëvendosjes në Prishtinë.
“Me vëmendje dhe shqetësim të madh”, ky është formulimi që është bërë në reagimin e degës së VV’së në Prishtinë ndaj arrestimeve të djeshme.
Në këtë reagim theksohet se këtë degë e ka shqetësuar përfshirja në shkelje ligjore e oponentëve të tyre.
Por, të njëjtin shqetësim kjo degë nuk e shfaqi kur anëtari i tyre, asamblisti Besnik Mujeci ishte arrestuar në cilësinë e dillerit të drogës. Atëkohë në reagime publike ishin shfaqur të shqetësuar nga taborri tjetër, nga LDK-ja.
Ky është “shqetësimi” i plotë i degës së Vetëvendosjes në Prishtinë:
Në reagim thuhet se si degë vazhdimisht kanë ngritur zërin për parregullsitë dhe shkeljet ligjore që kanë ndodhur në Komunën e Prishtinës.
“Si opozitë lokale vazhdimisht kemi ngritur zërin për parregullësitë dhe shkeljet ligjore që kanë ndodhur e vazhdojnë të ndodhin tash e dy vjet në çdo segment të qeverisjes në Kryeqytet. Prishtina tani, nën qeverisjen LDK-PDK, është shndërruar në qytet kampion për paligjshmëri, padrejtësi e anarki. Nuk ka dyshim se përgjegjësia kryesor për këtë gjendje bie mbi të parin e Kryeqytetit, Përparim Ramën, për shkak të veprimeve të tij paligjshme, e të cilat tashmë çdo ditë po shpërfaqen në opinion”, thuhet në reagimin e VV-së.
Arrestimet e fundit të njëjtit i quajnë si veprimtari kriminale të koordinuar dhe të organizuar në hierarki të pushtetit lokal në Prishtinë.
“Jemi të bindur se për rastin e arrestimeve të fundit, nuk bëhet fjalë për veprime individuale të personave të caktuar, tani të arrestuar e intervistuar, por kemi të bëjmë me veprimtari kriminale të koordinuar e organizuar në hierarki të pushtetit lokal në Prishtinë”, thuhet tutje në postimin e VV-së.