Pavarësisht kualifikimit në fazën tjetër të Champions League, skuadra e Borussia Dortmund po kalon një moment mjaft delikat në kampionat. Skuadra e drejtuar nga trajneri Edin Terzic ndodhet në vendin e pestë në Bundesliga, 12 pikë larg kreut (madje me një ndeshje më shumë krahasuar me Leverkusen).
Në katër javët e fundit, Borussia ka korrur vetëm tri pikë, duke bërë që situata brenda grupit të jetë e tensionuar. Kjo situatë mund t’i kushtojë vendin trajnerit Terzic, që sezonin e kaluar humbi titullin kampion në sekondat e fundit të javës së fundit të kampionatit.
Sipas “Bild”, lojtarët janë duke ngritur krye ndaj trajnerit, duke nisur një revoltë në dhomat e zhveshjes. Dhe në krye të revoltës është Marco Reus, kapiteni i shumë betejave, i cili nuk është i kënaqur me trajtimin e marrë. Gjithçka ka nisur pas zëvendësimit që Terzic i bëri Reus në minutën e 58-të të ndeshjes ndaj Augsburg.
Reus ka dalë nga fusha pa e ëprshëndetur dhe folur me trajnerit, duke u ulur në stol i mërzitur. Ky veprim nuk ka lënë pa u ndëshkuar nga trajneri Terzic, që dje e la lojtarin për 90 minuta në stol dhe në sfidën e ardhshme mund të përfundojë në tribunë. Situata duket e tensionuar, aq sa klubi mund të ndërhyjë për të zgjidhur mosmarrëveshjen, madje mund të shkakojë trajnerin.