Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në rrugën ‘Mic Sokoli’ në Vushtrri, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se dyshohet që bëhet fjalë për shpërthimin e një granate dore.
Si pasojë e kësaj, janë shkaktuar dëme materiale, pasi janë thyer xhamat e dy shtëpive dhe janë dëmtuar tri vetura që ndodheshin të parkuara në atë rrugë, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar.
Rastin në Polici e ka denoncuar një qytetar, shtëpia e të cilit e ka pësuar nga shpërthimi dhe më pas njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Momentalisht nuk ka persona të dyshuar dhe nuk dihet se si ndodhi shpërthimi, mirëpo janë marrë të gjitha veprimet hetimore që çojnë në identifikimin e të dyshuarve.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.