Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi, e cila është bashkëshortja e Rexhep Selimit, nuk e ka votuar propozimin e dytë të partisë së saj për postin e kryeparlamentarit.
Selimi nuk ka marrë pjesë në votimin për Donika Gërvallën si kandidate për kryetare të Kuvendit.
Ajo ende nuk është deklaruar publikisht për arsyet e mungesës në votim, por besohet se kjo lidhet me disa deklarata fyese që Gërvalla më herët i kishte bërë ndaj Rexhep Selimit.
Gërvalla e kishte quajtur Rexhep Selimin njeri të botes së krimit.
Në vitin 2019, disa ditë pasi ishte votuar Qeveria Kurti I, Gërvalla e kritikonte ashpër VV-në që e kishte propozuar Selimin për kryetar të Grupit Parlamentar.
“Nëse mund t’ju besohet informacioneve të mediumeve të ndryshme, Rexhep Selimi qenka propozuar si kryetar i Grupit Parlamentar të VV-së. Ky do të ishte një sinjal shumë i shëmtuar, jo vetëm për faktin që Rexhep Selimi është një prej të dyshuarve të Hagës”, kishte shkruar Gërvalla.
Kurse, në një status të mëvonshme, ajo pretendonte se Rexhep Selimi është njeri i botes së krimit.
“Sa gërditshëm me e pa pikërisht Rexhep Selimin duke folur për shtetin e së drejtës. Fakti më i shëmtuar që as LVV nuk ka arritur të çlirohet tërësisht nga figurat e saj të diskredituara të botës së krimit”, kishte shkruar ajo.