Wednesday, March 4, 2026

Shtesat për lehonat nuk dalin me rritjen e premtuar nga Qeveria

Gratë lehona nuk i kanë marrë shtesat për muajt janar e shkurt, në lartësi të pagës minimale prej 425 eurosh. 

Dy javë pas formimit të Qeverisë, lehonave shtesat e shkurtit u kanë dalë në vlerë të 325 eurove, ndonëse pagesa mujore në vlerë të pagës minimale ka qenë premtim në programin qeverisës të Vetëvendosjes.

Përmbushjen e këtij zotimi, që në javën e parë pas marrjes së mandatit, e pati premtuar kryeministri, Albin Kurti, në Kuvend para se të votohej kabineti qeveritar në tetor.

Deri tash, kur është miratuar edhe buxheti për 2026-n, Qeveria nuk ka marrë vendim për rritjen e këtyre shtesave.

Në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare kanë thënë se rritja do të bëhet me vendim të Qeverisë, porse nuk kanë treguar se kur do të ndodhë.

“Lidhur me pyetjen e parashtruar rreth lartësisë dhe shumës së përfitimeve të shtesave për lehona në vlerën e pagës minimale prej 425.00 eurosh ju njoftojmë se për çdo rritje të shtesave për lehona apo përfitimeve të tjera do të rregullohet me vendim të Qeverisë dhe Ministrisë, në kuadër të të cilave vendime do të përcaktohet edhe mënyra e zbatimit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.

Lehona Mirjeta Hoxha është ankuar se nuk është materializuar premtimi i Qeverisë për rritjen e kësaj pagese aq sa paga minimale.

“Në muajin shkurt e kam marrë pagesën e parë, e cila ka qenë 325 euro dhe jo 425. Shtesat do t’i marr edhe për dy muaj. Pasi ka qenë premtim, pres që nëse merret vendimi për rritjen e tyre në 425 euro, të vlejë retroaktivisht edhe për muajin shkurt”, ka thënë Hoxha.

KOHA ka pyetur në Ministri nëse vendimi do të ketë efekt retroaktiv, porse nuk ka marrë përgjigje.

E ekonomisti Fidan Qerimi thotë se shtesat nuk duhen shkëputur nga paga minimale, pasi, sipas tij, përbëjnë siguri më të madhe për gratë që duan të rrisin fëmijë në periudhë inflacioni. Pos kësaj, ai thotë se ato kanë edhe efekt pozitiv demografik.

“Është një inkurajim i lindshmërisë, ndoshta jo në efektin e dëshiruar, por është hap pozitiv për mendimin tim dhe do të duhej që të vazhdohej që të zbatohej kjo pagë minimale për lehonat”, ka thënë Qerimi.

Shtesat për lehona kanë pasur efekt demografik, megjithëse jo shumë të theksuar.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, krahasuar me shtatorin e 2021-tës kur është marrë ky vendim e deri më 2024, numri i lindjeve është rritur për rreth dy mijë fëmijë në vit.

Ndërkaq më 2025 ka rënë për 4 mijë lindje, krahasuar më 2024-tën, kur u regjistruan mbi 31 mijë lindje.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer