Çmimet e derivateve të naftës në Kosovë po prekin shifra rekorde. Çmimet janë rritur ditëve të fundit dhe një litër naftë shkon deri në 1 euro e 58 cent.
Se ka pasur rritje të çmimeve e thotë edhe kryetari i Naftëtarëve, Fadil Berjani, i cili thotë se javën që shkoi ka pasur rritje të çmimit të derivateve në brezë dhe reduktim të prodhimit nga organizata prodhuese OPEC.
Berjani ka thënë sot për portalin Indeksonline se çmimet në Kosovë sillen përafërsisht një litër dizel deri 1 euro e 55 cent dhe benzina deri 1 euro e 52 cent.
“Çmimi i derivateve për standardin tonë është i lartë, dhe çmimi real do duhej me qenë 1 euro, por kjo nuk varet nga ne as nga qeveria, sepse çmimin e përcakton breza dhe organizata prodhuese OPEC”, ka thënë Berjani.
Por, si do të jenë çmimet ditëve në vijim? Ai ka thënë se nuk mund të paragjykojnë sepse ka lëvizje të mëdha në tregje ndërkombëtare.
Qytetarët janë ankuar për çmime, në anën tjetër, ministria e Tregtisë ka thënë se janë duke analizuar çmimet e derivateve, dhe se varësisht nga situata, do të mund të ketë edhe ndonjë vendim të ri rreth kësaj.