E martë, 24 Dhjetor, 2024

Si dërrmohet ekonomia nga jostabiliteti në Veri – “mbi 20 milionë euro humbje vetëm nga sulmi terrorist i 24 shtatorit”

Përveç efekteve në situatën politike dhe tensioneve, kur në Veri të Kosovës ndodhin trazira ato prekin edhe sektorin e ekonomisë dhe për rastin e fundit të sulmit terrorist të 24 shtatorit, ndonëse s’mund të ketë shifra të sakta, nga njohësit e ekonomisë po konsiderohet se humbjet që janë shkaktuar prekin shifrën e mbi 20 milionë eurove.

Pavarësisht që të gjitha masat u morën për mbrojtje të interesave shtetërore, bllokimi i pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak ngadalësoi punën e pothuajse të gjitha bizneseve.

Sektorët më të prekura nga situata e 24 shtatorit, siç u tha edhe nga Oda Ekonomike e Kosovës, janë ndërtimtaria dhe turizmi.

“Dëmi i shkaktuar mund ta kaloj shifrën 20 milionë euro”

“Është mbyllur kufiri, është ndaluar importi i mallrave të Serbisë për një kohë të gjatë të gjitha këto përfshirë edhe problemet e fundit kanë ndaluar qarkullimin e njerëzve, mallrave dhe parashihet që nga ajo kohë dëmi financiar i ekonomisë duhet të jetë mbi 20 milionë euro”, thotë për Albanian Post ish-ministri i Financave, Haki Shatri.

Ish ministri i Financave, Haki Shatri.

Edhe Aleanca Kosovare e Bizneseve që të dhënat i përpunon nga aktiviteti bizneseve në Kosovë, të martën e tetorit doli me shifra të përafërta nga këto që jep Shatri.

“Shuma e humbjeve për shkak të situatës në Veri është më shumë se 20 milionë euro” përsëriti Shatri, por duke shtuar se “megjithatë në këto rrethana kuptohet që siguria kombëtare është më prioritet pavarësisht humbjeve ekonomike”.

Por, të dhënat e AKB-së më shumë janë për të treguar se nga trazirat në Veri e mungesa e stabilitetit askush nuk përfiton, aq më pak ekonomia.

“Mbi 20 vjet, Veriu vazhdon ta dëmtoj situatën ekonomike të Kosovës”

Ekonomisti Erton Bega, i pyetur nga Albanian Post për shifrat e AKB-së thotë se nuk është çështja veç te ngjarja e fundit, por “problemi i Veriut, e ka dëmtuar Kosovën për më shumë se 20 vjet në tërheqjen e investimeve të huaja direkt”.

“Sulmi diversant në Veri do të ndikojë negativisht tek investoretë eventual të ri, por nuk pritet të ketë efekt negativ në proceset dhe trendët mesatare të rritjes ekonomike”, tha Bega për AP.

Ekonomisiti, Erton Bega.

Gjithsesi, Bega shton se nga të gjitha korporatat e mëdha vlerësohet siguria e një vendi për të investuar në të e pastaj vazhdohet me procesin e investimit, meqë “siguria e një vendi është faktori parësor që vlerësohet nga korporatat e mëdha për të investuar në një shtet”.

“Ritmi i punës së bizneseve është ngadalësuar që nga 24 shtatori”

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini, sqaron për Albanian Post se studimi i tyre për pasojat negative që ka sjellur situata aktuale në ekonomi bazohet nga 24 shtatori deri më 30 shtator.

Shahini, thekson se ritmi i punës tek bizneset është ngadalësuar ndjeshëm nga dita kur grupi paramilitar i financuar nga Serbia dhe i udhëhequr nga krimineli Milan Radojiçiç provoi që në stilin e Rusisë në Krime, të aneksoi pjesë të Kosovës.

“Aleanca ka bërë një studim lidhur me aktivitetet ekonomike, veçanërisht javën ku kishte sulm nga 24 shtatori deri me 30 shtator. Nga kjo ka rezultuar që të ketë ngadalësim të ritmit të punës tek shumë aktivitete ekonomike në Veri”, deklaron Shahini për AP.

Nga bllokimi i Jarinjës dhe Bërnjakut, ai thekson se u dëmtuan sektori i ndërtimtarisë dhe turizmit.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini.

“Ndërmjet dy pikave të cilat u bllokuan për qarkullim ka ndikuar që aktivitetet ekonomike të zvogëlohen dhe bazuar nga bizneset neve na del që sektori i ndërtimtarisë dhe turizmit janë më të goditurit”.

Si funksionon?

“Për shembull, borxhet që bizneset i kanë mes veti, ratat janë ngadalësuar dhe janë shtyrë për një javë dhe gjithë kjo ka bërë që edhe konsumi i përgjithshëm të bie dhe të kemi një zvogëlim të parasë për qarkullim”.

Pse u bllokuan pikat në Jarinjë dhe Bërnjak?

Një grup i armatosur terrorist të dielën e 24 shtatorit, kishte sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Për këtë arsye qarkullimi në pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë ishin mbyllur.

Sa herë që Veriu trazohet këto dy pika bllokohen dhe qarkullimi i mallrave është i pamundur.

Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua të martën nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas është liruar nga paraburgimi.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Foto: The New York Times.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Ky veprim i Serbisë nxiti reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët kërkuan që menjëherë të zvogëlohet numri i trupave ushtarake.

Pas këtyre thirrjeve të qarta të ndërkombëtarëve, Beogradi njoftoi se ka filluar reduktimin e trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën./AP

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer