Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i shoqëruar nga deputeti Abelard Tahiri, është parë sot në një takim me Azem Sylën, një nga themeluesit e PDK-së dhe ish-komandantin e përgjithshëm të UÇK-së.
Takimi, që sipas fotografive të publikuara duket të ketë ndodhur në periferi të Prishtinës, ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik, edhe pse ende nuk ka detaje zyrtare rreth temave të diskutimit. Megjithatë, duket ditur zhvillimet e fundit në PDK, mund të jenë disa skenarë të mundshëm për qëllimin e këtij takimi.
Sipas burimeve tona, bisedimet mund të kenë përfshirë situatën në Drenas, idetë për një iniciativë të re politike që po i atribuohet Ramiz Lladrovcit, por edhe një mundësi tjetër e një ribashkimi të strukturave të ndara në këtë komunë, në prag të zgjedhjeve nacionale që pritet të mbahen në dhjetor të këtij viti.
Azem Syla konsiderohet si një nga figurat që mund të luajë rol kyç në afrimin e grupeve të ndryshme brenda partisë në Drenas.
PDK, e cila doli forca e parë me votë popullore në zgjedhjet lokale me 187,526 vota, përmes kryetarit të saj Memli Krasniqi, ka paralajmëruar se do të synojë një fitore edhe në zgjedhjet nacionale të fundvitit. Një ribashkim i mundshëm në Drenas do të konsiderohej si një sinjal i fortë stabiliteti brenda partisë.
Megjithatë, deri më tani, asnjëra nga palët nuk ka dhënë një konfirmim zyrtar lidhur me përmbajtjen e takimit apo zhvillimet e fundit brenda PDK-së.