Zyra Kombëtare e Audimit (ZKA) ka gjetur një vaki interesante me tenderë në Komunën e Mitrovicës së Jugut. Në një tender për sigurim fizik në vlerë prej afro 400 mijë eurosh, kompania M-GR Security SH.P.K kur kishte prezantuar listën e punëtorëve, kishte rezultuar se njëri nga ta është njëkohësisht punëtor aktiv në Drejtorinë e Administratës, si monitorues i kamerave.
Në një nga gjetjet e ZKA’së, është identifikuar përfshirja e një zyrtari komunal në listën e punëtorëve të një kompanie sigurimesh përgjatë prezantimit të listave të stafit teknik kur aplikonte për tender në gjysmën e vitit 2024, raporton insajderi.
“Në dosjen e tenderit “Shërbimet e sigurimit fizik dhe sigurimi me sistem alarmi për komunën dhe institucione tjera komunale”, me vlerë të kontraktuar prej 391,420€ si kërkesë në dosje të tenderit tek kapaciteti teknik dhe profesional është kërkuar që operatori ekonomik duhet të ofrojë dëshmi se ka minimum 20 punëtorë si dhe staf të mjaftueshëm për kryerjen e projektit si dhe të ketë minimum pesë (5) punëtorë të certifikuar për siguri dhe shëndet ne pune nga një kompani e licencuar për trajnimin dhe çertifikimin e punëtorëve në këtë fushë. Komisioni i vlerësimit kishte përzgjedhur si fitues një OE i cili në listën e stafit teknik ka dëshmuar për një punëtor të stafit me çertifikatë për siguri dhe shëndet në punë, roli i të cilit në kompani është menaxher, ndërkaq i njëjti është njëkohësisht punëtor aktiv i Komunës në pozitën (Monitorues i kamerave) në kuadër të Drejtorisë së Administratës“, thuhet në gjetjet e ZKA’së.
Auditori këtë e sheh si rrezik për konflikt të interesit, “pasi ai është njëkohësisht i angazhuar si pjesë e autoritetit kontraktues dhe si pjesë e subjektit ekonomik që ka fituar kontratën publike“.
Në bazë të një kërkimi në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, rezulton se kompania fituese është M-GR SECURITY SH.P.K, me bazë në Mitrovicë.
Ky institucion ka rekomanduar që të forcohen kontrollet e brendshme dhe mbikëqyrja gjatë fazës së vlerësimit të procedurave të prokurimit, në mënyrë që të shmanget përzgjedhja e Operatorëve që nuk i përmbushin kriteret ligjore në Dosjen e tenderit.
Menaxhmenti i komunës së Mitrovicës – në krye të së cilit ndodhet Bedri Hamza i PDK’së dhe numri dy që po kandidon sërish për Mitrovicën Arian Tahiri – janë pajtuar me këto gjetje pa i kundërshtuar ato.

Për tenderin “Shërbimet e sigurimit fizik dhe sigurimi me sistem alarmi për Komunë dhe institucionet tjera komunale” kishin konkurruar tri kompani. Tenderin e kishte fituar M-GR SECURITY SH.P.K, e cila kishte prezantuar ofertën me vlerën më të lartë, prej 391,420 euro.
Dy kompanitë e tjera kishin prezantuar ofertë prej 380 mijë euro dhe 324 mijë sosh.
Komuna e Mitrovicës kësisoj i dha 66,445 euro më shumë fituesit të tenderit, se sa çmimi më i ulët i ofruar nga Panther SHPK.

Komuna e Mitrovicës i kishte shpallur dy kompanitë garuese të tjera të papërgjegjshme. Madje, kompaninë “Rojet e Nderit” e kishte rrëzuar për shkak se s’i plotësonte kriteret në dosjen e tenderit.
Saktësisht, pikën ku komuna kërkonte që lista e personelit të tyre të dëshmohet me CV, kontrata të punës valide apo para kontrata, e para marrëveshje të specifikuara me titullin e projekteve.
“Andaj, Autoriteti Kontraktues pas pranimit të përgjigjes suaj dhe vlerësimit nga Komisioni i Vlerësimi ju njofton se përgjigja nuk është bindëse dhe e bazuar në Dëshmin 2 të kërkuar sipas DT-së dhe Njoftimit për Kontratë, ju si GOE jeni të Papërgjegjshëm në plotësimin e kritereve të Dosjes së Tenderit dhe Njoftimit për Kontratë sepse këto kontratat të punës me kohë të caktuar apo marrëveshje nuk janë të lidhura për aktivitetin e prokurimit në fjalë siç kërkohet shumë qartë në DT dhe Njoftim për Kontratë“, thuhej në përgjigjen e autoritetit kontraktues ndaj operatorit ekonomik.
Ndër të tjera, Auditori gjeti se komuna që udhëhiqet nga Hamza e Tahiri në katër procedura të prokurimit kishte shpallur fitues kompanitë që nuk kishin sjellë dëshmi për kriteret e vendosura në tender./Insajderi.org