Në kuadër të hulumtimit për kompanitë që kanë futur ose tentuar të fusin produkte ushqimore në tregun e Kosovës me përbërës të rrezikshëm, Veriu.info ka zbuluar se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka gjetur qindra produkte KOS 200 gr. të kompanisë “Drena” Sh.P.K. të rrezikshëm për përdorim.
Veriu.info ka siguruar procesverbalin e datës 14.03.2025 të nxjerrë nga inspektorët e AUV gjatë kontrollit në qumështoren “Drena” në Skenderaj, ku konstatohet se në bazë të analizave laboratorike për produktin KOS 200 gr., kanë dalë rezultate të pakënaqshme në kriterin e higjienës “Enterobakteri”.
Me këtë rast AUV ka obliguar kompaninë “Drena” Sh.P.K. më pronar Rrustem Rukolliqë këtë produkt të kosit ta tërheq nga tregu dhe të njoftoj AUV-in për asgjësimin e tij.
Në dokumentin e siguruar nga Veriu.info shihet se AUV ka obliguar qumështoren “Drena” të bëjë edhe ndërprerjen e prodhimit të produktit dhe të ndërmerren masa korrektuese.
Veriu.info ka siguruar e-mailin e kompanisë “Drena” që mbanë datën 2 maj 2025, ku njoftohet AUV se janë marrë masat korrektuese dhe se janë gati për rifillimin e prodhimit të këtij produkti të kosit.
Në bazë të procesverbalit të datës 3 qershor 2025 AUV i ka lejuar qumështores “Drena” prodhimin dhe shitjen e këtij produkti.
Çka është “Enterobakteri”?
Kriteri i higjienës për qumësht – “enterobakteri” i referohet pranisë së baktereve të familjes Enterobacteriaceaenë qumësht dhe produktet e tij. Këto baktere janë tregues të kushteve të higjienës gjatë mjeljes, ruajtjes, transportit apo përpunimit të qumështit.
Enterobakteret (p.sh. E. coli, Enterobacter, Klebsiella) janë mikroorganizma që zakonisht gjenden në zorrë. Nëse ato gjenden në qumësht, kjo tregon se: është ndotur me jashtëqitje, ose nuk janë respektuar kushtet higjienike gjatë prodhimit ose përpunimit.
Veriu.info ka dërguar pyetje në kompaninë “Drena” për të kuptuar se çka ka ndodhur me sasinë e hedhur në treg të këtij produkti që është konstatuar se është johigjienik, a është bërë asgjësimi i tij, a janë marrë masa korrektuese dhe se a marrin përgjegjësinë për sasinë e hedhur në treg të këtij produkti johigjienik, por nuk kemi marrë përgjigje.
Ndryshe, BetimiperDrejtesi kishte raportuar më 2021 për dënimin e biznesmenit Rrustem Rukolli nga gjykata për aktivitete të jashtëligjshme minerare. (https://betimiperdrejtesi.com/biznesmeni-rrustem-rukolli-shpallet-fajtor-per-aktivitete-te-jashteligjshme-minerare-denohet-me-3600-euro-gjobe/)