47 kandidatë janë punësuar në mënyrë të jashtëligjshme në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) në konkursin e fundit. Një hulumtim i Paparacit shpërfaq skandalin e radhës në prodhuesin e vetëm të energjisë elektrike në Kosovë.
Pasi tejkaloi frazën e famshme se “familjarët janë për dasma”, me punësimet e familjarëve e militantëve në KEK, pushteti ka gjetur një alternativë tjetër për punësim më të lehtë – krijimi i diplomave false.
Një hulumtim i Paparacit shpërfaq skandalin e radhës në prodhuesin e energjisë elektrike në Kosovë.
Me dyshimet për përfshirjen e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, i njohur si njeriu kyç për punësimet në KEK, skandalet kanë vazhduar edhe më tej.
Më 20 shtator të këtij viti, KEK-u kishte hapur konkurs për 220 pozita për “Manipulues i shiritave transportues, hinkës fushore dhe kabinës II”.
Kriteret e vetme për këtë pozitë ishin: Të ketë të kryer shkollën e mesme profesionale – drejtimi i xehetarisë, të ketë integritet, etikë dhe ndershmëri profesionale, dhe të jetë i/e aftë për punë ekipore dhe individuale.
Sipas burimeve të Paparacit, 47 persona nga 220 gjithsej sa janë pranuar në konkursin e fundit për këtë pozitë kanë falsifikuar diplomat. Rrjedhimisht nuk kanë përmbushur as kriteret tjera siç janë: integriteti, etika e ndershmëria profesionale.
A.A, A.Sh, A.Zh, A.I, A.G, A.G, B.R, B.F, B.I, B.M, B.J, B.H, E.V, E.H, E.H, F.Zh, N.F, K.S, V.M, F.M, I.B, F.M, J.H, V.H, E.M, Sh.M N.C, D.Th, M.B, Sh.K, B.M, F.Ll, H.M, E.B, I.K, M.A, S.A, Gj.Rr, M.J, K.Z, R.M, N.J, F.M, L.M, R.B, S.C dhe S.H dyshohet se kanë falsifikuar diplomat për të konkurruar në KEK.
Sipas dokumentit që e posedon Paparaci, Shkolla e Mesme Profesionale “Ismail Dumoshi”, institucioni i vetëm në Obiliq në të cilin nxënësit mund të diplomojnë për xehetari, ka vërtetuar se dokumentet që i kanë paraqitur në konkurs nuk janë lëshuar nga ky institucion.
Në përgjigjen e Shkollës së Mesme Profesionale “Ismail Dumoshi” drejtuar KEK-ut, përmes dokumentit që e posedon Paparaci, thuhet se: “dokumenti nuk është lëshuar nga institucioni ynë dhe nuk gjindet në asnjë regjistër”.
Vetë drejtori i shkollës “Ismail Dumoshi” ka konfirmuar se ka raste kur kandidatët kanë aplikuar me diploma të falsifikuara.
Jakup Hashani, drejtor i SHMLP “Ismail Dumoshi” në Obiliq ka konfirmuar se pas verifikimit të diplomave që ia ka kërkuar KEK-u, kanë figuruar kandidatë të cilët nuk kanë qenë të pajisur me diplomë.
“Po, ka”, ka thënë Hashani shkurtimisht për Paparacin.
Paparaci ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Obiliqit, megjithatë ata kanë bërë të ditur që të gjitha kompetencat për verifikim i ka Shkolla e Mesme e Lartë Profesionale (SHMLP) “Ismail Dumoshi”
Nga Drejtoria e Arsimit në këtë komunë kanë deklaruar se KEK-u ka kërkuar nga shkolla që të bëhet verifikimi i diplomave për këtë aplikantë.
“Verifikimi është bërë nga shkolla profesionale e cila është kompetente për diplomat dhe regjistrat e nxënësve të rregullt dhe jo të rregull (jo formal), të cilët ndjekin mësimet dhe studimet në këtë shkollë. Institucioni arsimor ShMLP “Ismail Dumoshi” të gjitha të dhënat i ka dërguar me regjistër të specifikuar, te Burimet Njerëzore në KEK, prandaj rreth kësaj çështje ju lutem drejtohuni tek NjBNj në KEK”, thuhet në përgjigjen e DKA-së në Obiliq për Paparacin.
Paparaci që nga e hëna ka kërkuar informacion nga KEK-u lidhur me këtë konkurs dhe çështjen e aplikimeve me diploma të falsifikuara. Megjithatë nga ky institucion nuk kanë dhënë informacione as për konkursin dhe as për rezultatet.