Konsorciumi i organizatave të shoqërisë civile i përberë nga Group for Legal and Political Studies, Institute for Development Policy (INDEP) dhe Instituti GAP, në kuadër të projektit: “Mbështetje për Shoqërinë Civile për të Rritur Mbikëqyrjen Publike dhe Llogaridhënien e Institucioneve Publike të Kosovës”, shpreh shqetësimin e thellë për shkeljet e njëpasnjëshme ligjore në procesin e prokurimit “Zgjerimi i rrugës nacionale Prishtinë – Besi – Podujevë” nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI)
Në faqen e tyre në Facebook ‘CorrWatch’, ka bërë një reagim publik për procesin e kundërligjshëm të Prokurimit Publik “Zgjerimi i rrugës nacionale Prishtinë – Besi – Podujevë”.
Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar kontrata me kompani për ndërtimin e rrugës Prishtinë-Podujevë, ani se për fituesin e njërit prej loteve të tenderit pati ankesë të pashqyrtuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).
“Edhe përkundër rekomandimeve të KRPP-së, si dhe shkeljeve të evidentuara, MMPHI ka vazhduar jashtëligjshëm me nënshkrim të kontratave dhe operatorët ekonomik kanë filluar punën. Ne kërkojmë që të rishqyrtohen dhe të anulohen vendimet e marra në mënyrë të jashtëligjshme, si dhe ju bëjmë thirrje organeve kompetente ta hetojnë këtë aktivitet të prokurimit. Projekti “Mbështetje për Shoqërinë Civile për të Rritur Mbikëqyrjen Publike dhe Llogaridhënien e Institucioneve Publike të Kosovës” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit përmes British Embassy Pristina. Përmbajtja e këtij reagimi është përgjegjësi e vetme e organizatave zbatuese dhe nuk i reflekton qëndrimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar”, thuhet në reagimin e tyre.
Tenderi në vlerë 35 milionë eurosh është përcjellë me dyshime pasi njërin nga lotet e këtij tenderi, me vlerë 8 milionë euro, e ka fituar kompania “Bageri”, e afërt me zëvendësministrin Hysen Durmishi.
Deklarimet publike të zëvendësministrit për njohje personale me pronarin e njërës nga kompanitë fituese, sipas konsorciumit “CorrWatch”, paraqesin konflikt interesi.
Sipas “CorrWatch”, MMPHI-ja nuk ka marrë për bazë as rekomandimet e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) që kërkoi përmirësim të vendosjes së “Kritereve kualifikuese, të cilat ishin në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik (LPP).
Këto organizata kanë bërë thirrje që të anulohen vendimet e marra, sipas tyre, në mënyrë të kundërligjshme, si dhe iu kanë bërë thirrje organeve të hetuesisë që ta hetojnë këtë aktivitet të prokurimit.