Wednesday, February 18, 2026

Skandali sek**al me të miturën në Drenas, polici lirohet nga akuzat, Gjykata urdhëron kthimin në punë dhe kompensimin financiar

Pas gati 6 vitesh, pasi ishte arrestuar, akuzuar e dënuar fillimisht nga Gjykata Themelore e Prishtinës, ish-rreshteri policor i dyshuar bashkë me disa persona të tjerë për përfshirjen në skandalin e keqpërdorimit seksual të një të miture në Drenas, është liruar nga akuzat.

Madje të njëjtit me anë të një vendimi tjetër të Gjykatës së Prishtinës në procedurë civile, ish-rreshterit do t’i kompensohen mbi 45 mijë euro paga, trust e kamatë ligjore e po ashtu Policia e Kosovës është detyruar që ta kthej në punë në të njëjtën pozitë që kishte.

Rreshteri policor ishte akuzuar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës ndërsa ndonëse që seancat janë mbajtur të mbyllura në këtë proces për shkak të veprave që prekin integritetin e viktimave, në bazë të një dokumenti që ka siguruar KALLXO.com në shkurt të vitit 2024 i njëjti ishte shpallur fajtor për keqpërdorim seksual duke keqpërdorur detyrën e tij zyrtare e po ashtu edhe për shtytje të ndërprerjes së shtatzënisë.

Por vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, e kishin ankimuar edhe prokuroria por edhe avokatët e grupit në të cilin bënte pjesë edhe ish-rreshteri policor. Vetëm disa muaj më vonë pas vendimit të shkallës së parë, më 28.08.2024, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesën e mbrojtjes dhe kishte vendosur që të lirojë nga akuza ish-rreshterin policor për dy veprat penale për çka ishte akuzuar më parë.

Konkretisht, ish-rreshteri policor ishte liruar nga akuzat për keqpërdorim seksual duke keqpërdorur detyrën zyrtare si dhe shtytje në ndërprerje të shtatzënisë.

KALLXO.com ka siguruar vendimin e Gjykatës së Apelit të datës 28.08.2024, vendim ky i marrë nga Kolegji për të mitur i përbërë nga Kryetari Skender Çoçaj dhe anëtarët e kolegjit, Beqir Kalludra e Abdullah Ahmeti.

Përveç ish-rreshterit policor nga akuzat për keqpërdorim seksual, frikësim gjatë procedurës penale, ishin liruar edhe tre persona të tjerë të dyshuar si të përfshirë në këtë rast ndërsa për njërin nga ish- të akuzuarit lënda ishte kthyer në rivlerësim dhe rigjykim.

Ngjarja, e bërë publike në vitin 2019, kishte tronditur opinionin publik në Kosovë dhe më gjerë, pasi zbuloi një skandal të rëndë me dyshime për keqpërdorim seksual të një të miture e cila në kohën kur pretendohej se ishin kryer veprimet ndaj saj e njëjta ishte 16-vjeçare. Sipas raportimeve të kohës, vajza fillimisht ishte keqpërdorur nga mësimdhënësi i saj, e më pas edhe nga një hetues policor, një avokat e ishte arrestuar edhe një gjinekolog.

Raportimet mediale kishin treguar se abuzimi ndaj të miturës kishte nisur që në vitin 2016, ndërsa ajo kishte kryer edhe një abort në një klinikë të pa licencuar.

Pasi ishte dhënë vendimi për dënimin e të akuzuarve në atë kohë për skandalin e keqpërdorimit seksual të të miturës, Prokuroria e Apelit kishte bërë ankesë dhe kishte kërkuar nga Gjykata e Apelit që të anulonte aktgjykimin e po ashtu kishte kërkuar që lënda të kthehej në gjykatën e shkallës së parë në rigjykim dhe rivendosje.

Përveç prokurorisë, edhe avokatët e ish- të akuzuarve të tjerë për rastin e keqpërdorimit seksual të të miturës në Drenas ishin ankuar në Gjykatën e Apelit.

Ankesat kryesisht kanë qenë për shkak se nuk ishte bërë vërtetimi i gjendjes faktike dhe vendimit mbi dënim. E pas këtyre ankesave, Kolegji Penal i përbërë nga gjyqtarët Skender Çoçaj, kryetari i kolegjit Beqir Kalludra dhe Abdullah Ahmetin, kishin ftuar edhe një seancë me çka kishin ftuar palët për të prezantuar deklaratat e tyre.

Avokatët e palëve që dyshohej se ishin të përfshira në këtë rast kishin dhënë qëndrimet e tyre duke thënë se vendimi i shkallës së parë ishte i paqëndrueshëm, i mungonte kualifikimi i duhur juridik, si dhe kishte mungesë të provave.

Pasi ishin shqyrtuar edhe shkresat e lëndës, Kolegji për të mitur i Gjykatës së Apelit kishte vlerësuar dhe konstatuar që ankesa e prokurorit për vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës nuk ishte e bazuar ndërsa ankesat e ish- të akuzuarve dhe dënuarve nga shkalla e parë i kishte marrë si të bazuara.

Ankesat kryesisht ishin për vërtetimin e veprimeve të ish- të akuzuarve dhe provave që ishin marrë parasysh për dhënien e dënimit të parë nga Gjykata e Prishtinës.

Dosja 61 faqe e Gjykatës së Apelit të cilën e ka siguruar KALLXO.com e që ka shqyrtuar të gjitha ankesat e avokatëve të ish-të akuzuarve për keqpërdorimin seksual të të miturës vite më parë, pati vendimin e fundit, atë që ish- të dënuarit nga Gjykata e Prishtinës të liroheshin nga akuzat.

Pretendimet e prokurorisë për vendimin mbi dënimin dhe mbrojtja e të akuzuarve:

Prokurori për të mitur në ankesë për vendimin e dënimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës kishte thënë në seancën në Gjykatën e Apelit se gjyqtari që kishte marrë dënimin e parë nuk kishte zbatuar në mënyrë të drejtë rregullat e përgjithshme për matjen e dënimit dhe se i ka mbivlerësuar rrethanat lehtësuese duke shqiptuar dënime të buta.

Madje për mësimdhënësit, prokurori kishte thënë se ata e kanë joshur e manipuluar viktimën në vend që ta edukonin, për ish- rreshterin policor i kishte thënë se kishte shfrytëzuar në vend se t’i ofronte siguri, e për avokatin kishte thënë se kishte keqpërdorur profesionin.

Avokati i njërit nga mësimdhënësit në këtë rast kishte thënë se në dënim nuk është prezantuar asnjë rrethanë konkrete përveç faktit se dënimi është i paqëndrueshëm dhe i paarsyetuar.

Ngjashëm thuajse kishin deklaruar edhe avokatët e tjerë duke e cilësuar vendimin e shkallës së parë si vendim që nuk është i bazuar në prova dhe është i padrejtë.

Gjykata e Apelit pasi kishte marrë të gjitha pretendimet edhe nga prokuroria por edhe nga palët e përfshira kishte vendosur që vetëm për një person të ketë rigjykim dhe rivendosje nga Gjykata Themelore e Prishtinës, ndërsa për avokatin, ish- rreshterin policor, një mësimdhënës të ketë lirim nga akuza.

Largimi nga puna që do i kushtoj Policisë së Kosovës mbi 45 mijë euro:

1 vit e katër muaj pasi ishte marrë vendimi për lirim nga akuza, ish- rreshteri policor nga Drenasi kishte paditur Policinë e Kosovës për kompensim të dëmit për largimin nga puna pas rastit të keqpërdorimit seksual të të miturës në Drenas.

Ish- rreshteri policor ishte përfaqësuar nga avokati Agron Rrecaj në padinë ndaj Policisë së Kosovës ndërsa kishte kërkuar kompensimin e pagave të parealizuara dhe kthimin në vendin e punës. Vlera e kompensimit që kishte kërkuar ish- rreshteri arrinte shifrën e 64 mijë e 434 eurove.

KALLXO.com ka kontaktuar me ish- rreshterin përmes telefonit, avokatët e tij Tahir e Agon Rrecaj, por të tre kanë preferuar që të mos flasin për ngjarjen duke thënë se drejtësia e ka dhënë versionin e saj.

Pasi kishte pranuar vendimin nga Gjykata e Apelit për lirim nga akuza, ish- rreshteri policor kishte vazhduar me një procedurë tjetër, atë civile, kishte paditur Policinë e Kosovës institucionin në të cilin kishte shërbyer deri në vitin 2021, atëherë edhe kur ishte larguar nga puna me vendim të komisionit disiplinor.

Më 23.12.2025, Gjykata Themelore në Prishtinë, Dega në Drenas, konkretisht Departamenti i Përgjithshëm- Divizioni Civil kishte marrë aktgjykim që të aprovonte pjesërisht padinë e ish- rreshterit policor.

Ish- rreshteri policor kishte kërkuar kompensim të pagave edhe për periudhën e suspendimit edhe për periudhën e largimit nga puna tani që është liruar nga akuzat.

Gjykata e Prishtinës në vendimin e marrë e të cilin e ka siguruar KALLXO.com, e ka detyruar Policinë e Kosovës që ish- rreshterin ta kthej në vendin e punës dhe t`i paguaj të njëjtit kompensimin e pagave të parealizuara në shumën prej 35 mijë e 443 eurove, kontributin pensional 3 mijë e 730 euro dhe kamatën ligjore të arritur në shumën prej 6 mijë e 615 euro.

Në vendimin që ka siguruar KALLXO.com, Gjykata ka thënë se në bazë të ekspertizës financiare shuma prej 35 mijë e 443 euro do të i kompensohen ish- rreshterit nga data 04.08.2021 deri më 17.11.2025 periudhë të cilën ish- rreshteri ishte përjashtuar nga policia. Por përveç pagës, ish- rreshteri do marr edhe para për trustin si dhe kamatën ligjore e që vlera më pas shkon në 45 mijë e 588 euro.

Ndërsa pagat për sa kohë ish- rreshteri ka qenë i suspenduar, këtë pikë, gjykata e ka refuzuar si të pabazuar. Periudha për çka i ka refuzuar kompensimin gjykata ish- rreshterit policor ishte për periudhën kohore nga 05.02.2019 deri më 03.08.2021 në atë kohë ai ishte i suspenduar dhe i ishte ngritur aktakuzë ndërsa më 06.08.2021 ndaj tij ishte shqiptuar edhe masa disiplinore e largimit nga puna pas kalimit të afatit ligjor prej 6 muajsh nga suspendimi i përkohshëm me pagese 50 për qind të pagës.

KALLXO.com pati raportuar në vazhdimësi për skandalin në Komunën e Drenasit e që të dyshuar si të përfshirë ishin një zingjir personash të cilët kishin pozita në institucione të sigurisë, arsimit, drejtësisë e mjekësisë.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer