Tuesday, June 17, 2025

Skandaloze: Transformimi i kundërligjshëm i bankës turke Ziraat, avokate e bankës motra e Vjosa Osmanit

Banka Qendrore e Kosovë kundërligjshëm ka marrë një vendim që bankës turke që operon në Kosovë “Ziraat Bank”, të ia shndërrojë statusin nga degë e huaj që ka operuar në Kosovë në shoqëri aksionare.

Prej kohësh, Ziraat Bank, filiale e bankës shtetërore turke, ka qenë në proces të transformimit nga degë e shoqërisë së huaj në një shoqëri aksionare, e regjistruar në Kosovë. Megjithatë, një veprim i tillë, sipas ligjit nuk lejohet.

Në ndërrimin e statusit të kësaj banke u përfshinë disa institucione si BQK’ja, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, ARBK, dhe motra e presidentes Vjosa Osmani, Blinera Osmani në cilësinë e avokates së bankës turke “Ziraat Bank” që veprimtarinë e ushtron në Kosovë.

Duke u thirrur në Ligji nr. 06/L-016 për Shoqëritë Tregtare, ARBK kishte refuzuar vazhdimisht këtë kërkesë.

Në shkresat zyrtare që i ka siguruar Periskopi, thuhet se “legjislacioni në fuqi nuk përmban asnjë dispozitë që lejon këtë lloj transformimi”. Gjithnjë sipas ARBK’së, as vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës nuk mund të shërbejë si bazë ligjore për një veprim të tillë.

Përkundër refuzimit, më 16 maj 2025, ndodh ajo që zyrtarët e ARBK e kishin refuzuar për muaj me radhë: Ministrja Rozeta Hajdari merr vendimin për ta lejuar transformimin, edhe pse, sipas vetë ligjit për Shoqëritë Tregtare, ministrja nuk ka kompetenca për të autorizuar një transformim të tillë.

Ndërrimin e statusit tjetër ligjor e ka konfirmuar vetë banka në një postim në faqen e tyre në Facebook. Banka, njoftonte kilentët e tyre se nuk kanë nevojë për asnjë shqetësim.

“Kemi kënaqësinë t’ju informojmë se, që nga data 19 maj 2025, T.C. ZIRAAT BANKASI A.$ – Dega në Kosovë ka përfunduar transformimin e saj ligjor dhe tani operon si Ziraat Bank Kosova SHA, një shoqëri aksionare e regjistruar në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e bankës turke drejtuar klientëve të saj.

Se statusi nga degë e huaj në shoqëri aksionare nuk mund të bëhet aktualisht për shkak se këtë nuk e lejon legjislacioni në fuqi, e ka sqaruar Lebibe Haliti, zëvendës-drejtoreshë në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK) , korrespodencat e së cilës ka arritur t”i sigurojë Periskopi, ndërmjet saj, dhe avokates së bankës turke, Blinera Osmani.

Ato mbajnë datën 3 mars 2025. Aty, Haliti i sqaron avokates Osmani se nuk ka bazë ligjore për ndërrimin ose transformimin ligjore nga degë e huaj në shoqëri aksionare.

“Siç është theksuar edhe me parë, legjislacioni në fuqi, konkretisht Ligji nr.06/L-016 Për Shoqeritë Tregtare, nuk parashikon një dispozitë që lejon këtë lloj shndërrimi dhe vlerësojmë se Vendimi i BQK’së, nuk përbën bazë të mjaftueshme ligjore për të proceduar më tej me kërkesën tuaj. Meqë ligji për Shoqëritë Tregtare është aktualisht në proces ndryshimi, mund të shqyrtohet mundësia e përfshirjes së një dispozite specifike për këtë çështje. Në këtë drejtim, mbetemi të hapur për diskutime me grupin punues dhe institucional përkatës për të shqyrtuar propozimet që mund të adresojnë këtë nevojë në të ardhmen“, thuhet në përgjigjen e Lebibe Halitit (ARBK) për avokaten e bankes “Ziraat Bank”, Blinera Osmanin.

Pak minuta më vonë pas pranimit të këtij emaili avokatja Osmani, motra e Vjosa Osmanit kërkon sqarime shtesë nga ARBK’ja, gjegjësisht nga Lebile Haliti.

Pak a shumë ajo i sugjeron, me tone gati se urdhërore, se si zonja Haliti do duhej të vepronte në këtë rast.

“Dëshirojmë të theksojmë se, ne përputhje me Ligjin Nr. 05/L-031 për Proceduren e Përgjithshme Administrative, konkretisht nenin 3, organet administrative janë të obliguara që, pas shqyrtimit të kërkesave nga personat juridik apo fizike, të nxjerrin një vendim në formë të aktit administrativ të shkruar. Gjithashtu, në përputhje me nenin 47 të të njëjtit ligj, një akt administrativ duhet të përmbajë strukturën dhe elementet e detyrueshme, duke përfshirë bazën ligjore, arsyetimin dhe dispozitën e vendimit. Duke marrë parasysh këtë obligim ligjor, urojmë që vendimin tuaj lidhur me kërkesën tonë ta pranoni sa me shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të kemi të qartë ushtrimin e të drejtave tona dhe të ndjekim hapat e nevojshëm ligjorë që kemi në dispozicion”, thuhet në kërkesën e Blinera Osmanit për zv/drejtoreshën e ARBK’së.

Faktet tregojnë se transformimi i bankës turke është bërë në kundërshtim me Ligjin për Shoqëri Tregtare. ARBK kishte deklaruar qartë se veprimi është i paligjshëm dhe i paautorizueshëm, megjithatë përmes një vendimi të jashtëligjshëm të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ministrja Rozeta Hajdari ka tejkaluar kompetencat e saja ligjore, dhe ka sjellë një vendim të jashtëligjshëm në dëm të integritetit të institucioneve.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer