Konsiderohet si ndërtuesi i ‘fortë’ i Skenderajt, pasi që në prapaskenë shihet në shoqërinë e kryetarit Sami Lushtaku, me të cilin në fund të vitit të kaluar kishte realizuar edhe një vizitë në Libi. Fjala është për biznesmenin Astrit Çitaku. Por afërsia me kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku nuk po e mbron në punët ‘shkel e shko’ që po i bën në një objekt banesor në Skenderaj, për të cilin është gjobitur nga Inspektorati i Punës.
Veriu.info ka siguruar një vendim të Inspektoratit të Punës të nxjerrë më 23 dhjetor 2025, me të cilin i shqiptohen tri (3) gjoba subjektit afarist “Andrra Invest” L.L.C., me pronar Astrit Çitaku, në shumë totale prej 5 mijë euro.
Sipas vendimit të Inspektoratit të Punës, në objektin banesor që po e ndërton kompania e Astrit Çitakut, në momentin e inspektimit është evidentuar mungesë e masave të sigurisë dhe shëndetit në punë, pasi që objekti nuk ishte i pajisur me skele, nuk ishin të mbyllura hapësirat në kontakt me jashtë, nga ku rrezikohej të binin punëtorët dhe nuk ishin vendosur parmakët në hapësirat te shkallët e ashensorët. Për shkak të këtyre shkeljeve, nga inspektorët e punës ishin ndaluar punimet në objektin “Andrra Premium”.
Disa ditë pas ndërprerjes së punimeve, kompania “Andrra Invest” L.L.C. kishte bërë kërkesë në Inspektoratin e Punës për lejimin e vazhdimit të punimeve, por pas riinspektimit ka dalë se kjo kompani e Astrit Çitakut nuk kishte ndërmarrë masat siç ka qenë e obliguar, pasi që të njëjtat i kishte përmbushur vetëm pjesërisht, duke tentuar kështu të fusë në lajthitje inspektorët e punës.
Me rastin e riinspektimit të dytë më 8 dhjetor 2025, inspektorët kishin konstatuar se “Andrra Invest” kishte marrë masat e nevojshme nga aspekti i sigurisë dhe shëndetit në punë, por me këtë rast është evidentuar edhe një shkelje tjetër, pasi që kompania e Astrit Çitakut kishte vazhduar paraprakisht punimet në kundërshtim me ligjin, pasi që kishte vendim aktiv të ndalimit të punimeve.


Lushtaku u pa nën shoqërinë e biznesmenëve si Gaz Demi, biznesmeni kontravers nga Shqipëria dhe presidenti i klubit “Partizani” dhe Astrit Çitaku, biznesmen nga Skenderaj, i njohur për afërsinë e tij me Lushtakun.