Kanë mbetur edhe tre muaj deri te zgjedhjet lokale, ndërsa partitë politike në Kosovë, e në Skenderaj, kanë filluar përgatitjet fillestare për këtë proces. Përveç emërimeve të përfaqësuesve të tyre në KQZ, deri më sot nuk ka pasur asnjë kandidaturë zyrtare për kryetar komune, përveç spekulimeve që qarkullojnë në media, pasi ende ka kohë për vendime zyrtare, shkruan rajoni.org.
Nuredin Lushtaku nga partia IDEAL, kohë më parë kishte deklaruar: “Unë hyj në garë dhe aty hyj për të fituar”, duke i dërguar një mesazh të qartë pushtetit aktual se kjo garë nuk do të jetë e lehtë. Pritet që Lushtakut t’i dalë krah edhe familja Jashari, pasi subjekti i tij politik është themeluar nga Bekim Jashari dhe nën drejtimin e tij kishte fituar 10 asambleistë.
Ndryshe nga partia IDEAL, ku gjërat po kristalizohen, në PDK po zhvillohet një paqartësi e madhe. Në opinion qarkullojnë deklarata nga eksponentë të saj, ku herë përmendet kryetari aktual Fadil Nura, e herë zëvendësi i tij Sami Lushtaku si kandidatë potencialë. Sipas këtyre burimeve, midis këtyre dy figurave po zhvillohet një garë në hijë, e cila pritet të formalizohet javën e ardhshme.
Ne PDK Ka zëra edhe për kandidaturën e mundshme të kryetarit të nëndegës së Llaushës, Arbër Geci, i cili shihet si sfidë serioze për këto figura të njohura të skenës politike.
Sa u përket subjekteve tjera si LDK, VV, AAK, AKR dhe Nisma, fokusi i tyre duket se do të jetë më shumë te asambleistët sesa te kryetari, pasi sipas të gjitha gjasave në Skenderaj pritet të mos ketë më shumicë absolute.