Bekim Emini nga Skenderaj, edhe pse ndodhet mijëra kilometra larg vendlindjes, në mendjen e tij është Skenderaj dhe ideja se si të kontribuojë për të mirën e përgjithshme. Me vetëfinancim, vitin e kaluar ka realizuar projektin e shenjëzimit të rrugëve në qytet. Nga Gjermania kishin ardhur në Skenderaj mjetet, pajisjet dhe punëtorët e firmës së tij, që të realizohet projekti i shenjëzimit. Është kryer me sukses të plotë, duke i bërë me shenjë rrugët brenda qytetit. Me këtë komunës ia ka kursyer dhjetëra mijëra euro.
Ndërkaq si kundërvlerë e kësaj pune që është bërë me vullnetin më të mirë, Bekimi ka marrë vlerësime të larta nga qytetarët dhe Komuna e Skenderajt.
Një patriot me kuptimin e plotë të fjalës.
Ai në Gjermani ndodhet prej shumë vitesh dhe udhëheq një firmë me një numër të madh punëtorësh, e cila merret ndërtim të ulët dhe të lartë, fasadim, suvatim, etj.
“Kjo është më e pakta që mund të bëjë për komunën time dhe bashkëqytetarët e mi”, shprehet Emini dhe shton se është gjithmonë i gatshëm të jap kontributin e tij për të mirën e përgjithshme.
Nuk është vetëm ky rast kur Bekimi është treguar zemërgjerë. Edhe pas fatkeqësisë natyrore të vërshimeve në vitin 2023, ai ka ndihmuar qytetarët dhe komunën me një shumë të madhe parash.
Si Bekim Emini Skenderaj ka nevojë të ketë edhe më shumë njerëz, të cilët janë të gatshëm të ndihmojnë, edhe atëherë kur kërkohet një gjë e tillë, por edhe atëherë kur nuk kërkohet.