Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi ka pohuar se gjatë vitit 2025 në Kosovë kanë vdekur 32 punëtorë në vendin e punëtorë. Por, përkundër kësaj bizneset në Kosovë, e veçanërisht sektori i ndërtimit, po vazhdojnë të neglizhojnë zbatimin e Ligjit për Siguri dhe Shëndet në Punë.
Në kuadër të hulumtimit për masat ndëshkimore të shqiptuara nga Inspektorati i Punës në sektorin e ndërtimit, Veriu.info ka raportuar se posedon një vendim të këtij institucioni, me të cilin është gjobitur me 2 mijë euro kompania ndërtimore “Lin Projekt” Sh.P.K. në Mitrovicë.
Sipas vendimit që mban datën 17.04.2025, “Syla Group”, me pronarë Sylë Syla dhe Mustaf Sylaj, kishte bërë dy (2) shkelje të Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, ku për secilën është gjobitur me nga 1 mijë euro, shumë kjo minimale për një kompani me qarkullim milionësh në raport me shkeljet e bëra.
Në arsyetimin e vendimit thuhet se inspektorët e punës, gjatë inspektimit në terren, kishin konstatuar se “Syla Group” nuk kishte marrë masat e nevojshme të sigurisë në një objekt afaristo-banesor që po e ndërtonte në rrugën “17 Shkurti” në Skenderaj.
Inspektorët kishin evidentuar punime në katin e 10-të të objektit të “Syla Group”, që po kryheshin pa masa të sigurisë adekuate, pasi kompania nuk kishte vendosur skele, sikundër që as në objektin tjetër nuk kishte skele gjatë punimeve në katin e 3-të.
Gjatë kohës së inspektimit në vendpunishte janë evidentuar pesë (5) punëtorë, të cilët sipas inspektorëve i janë ekspozuar rrezikut potencial për shëndetin dhe jetën e tyre, si pasojë e mosmarrjes së masave të sigurisë nga punëdhënësi gjatë procesit të punës.
Me rastin e këtij inspektimit kompanisë i ishin ndaluar përkohësisht punimet në vendpunishten e ndërtimtarisë në rrugën “17 Shkurti” në Skendera.
Veriu.info ka tentuar të marrë një qëndrim nga “Syla Group” për këtë vendim, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e dërguara.



