Lista Serbe njoftoi se katër institucionet serbe nuk do të largohen nga objekti në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut, që sipas autoriteteve lokale i përket kësaj komune.
Komuna e Mitrovicës së Veriut ka dhënë afat që deri më 8 shtator Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës dhe Qendra për Punë Sociale nga Vushtrria të largohen nga objekti. Këto institucione prej kohësh përdorin këtë ndërtesë komunale.
“Duke pasur parasysh synimin e Prishtinës që me çdo kusht të vazhdojë me përshkallëzimin e situatës në terren dhe të pushtojë objektin në Mitrovicës, duam t’iu njoftojmë publikisht se refuzojmë ultimatumin e regjimit në Prishtinë për lëshimin e zyrave tona dhe kërkojmë që kjo çështje të zgjidhet në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës që ndërmjetësohet nga BE-ja dhe në kuadër të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, siç parashihet në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015”, u tha në njoftimin e Listë Serbe.
Kjo parti – që është partia më e madhe e serbëve të Kosovës dhe gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – tha po ashtu se institucionet që gjenden në objektin komunal ofrojnë shërbime për të gjithë qytetarët, pa dallim të etnisë.
“Përndjekja dhe pushtimi me forcë i kësaj ndërtese do të kërcënonte ushtrimin e të drejtave të njeriut për dhjetëra mijëra persona, si në fushën e sigurimeve pensionale dhe invalidore ashtu edhe atë të mbrojtjes sociale të shtresave më të rrezikuara të shoqërisë”, tha kjo parti.
Ajo i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar “që të parandalojë” autoritetet e Kosovës, që siç tha, “të përshkallëzojnë situatën duke shkaktuar tensione shtesë që mund të kenë pasoja të paparashikueshme në terren”.
Aksioni për largimin e institucioneve të Serbisë nga objekti komunal në Mitrovicë të Veriut ishte paraparë të zhvillohej më 25 gusht, por u shty për dy javë. /REL/