Prokurorja e Prokurorisë Themelore të Pejës, Sahide Gashi, të premtën ka njoftuar se ëshë ngritur aktakuzë për tragjedinë në Gllogjan, ku ishin vrarë tre persona, në autobusin i cili po kthehej nga Gjakova. Nacionale ka qëndruar të premtën në Pejë dhe në Gllogjan, dhe prej atje ju sjellë rrëfimet e familjarëve të viktimave në tragjedinë e Gllogjanit.
Babai i Gentiana Mustafajt, e cila në nëntorin e vitit 2021 u vra në sulmin e armatosur që u krye në autobusin me të cilin ajo e bashkë-moshatarët e saj po ktheheshin nga shkolla, tha për Nacionalen se duan që sa më parë ky rast në detaje të zbardhet.
“Na si familjar, drejtësisë ia kemi lanë ditën e parë. Drejtësia ka kqyrë me e shpallë këtë aktakuzë. Po presim prej shtetit. Ishalla del në dritë kjo punë. Edhe qiky gjak i fmive hupë, nuk di më shumë çka me ba në këtë shtet. Qndodhë kjo pas 23-jetëve me mu vra fmija në Gllogjan,”- tha për Nacionalen, babai i njërës nga viktimat e kësaj tragjedie.
Ai shpjegoi edhe njëhere se çka mbanë mend nga ky rast tragjik.
“Duke u kthy prej shkolle, sofrat kanë qenë të shtrune. Kur kam shku, Genten e kam gjetë të vdekur në spital. Thirrja jeme ëstë që sa më parë të zbulohet ky rast. Ne jemi të interesun me ditë se kush na i ka vra fëmijët. Drejtësia me shku në vend. Drejtësisë ia kam lanë”- rrëfeu për Nacionalen Florim Mustafaj.
Çka ka zbuluar Prokuroria?
Prokurorja Gashi, tha se akuza është ngitur ndaj Kastriot e Kreshnik Mehmetajt, për veprën penale vrasje, ndërsa ndaj tashmë të akuzuarit Halil Mehmetaj është ngritur aktakuzë për veprën shtytje në vepër të rëndë. Kurse hetimet kanë pushuar ndaj Malsor Mehmetajt.
“Pas hetimeve Prokuroria sot më 5 maj ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Pejë kundër Kastriot Mehmetaj e Kreshnik Mehmetaj për vepër penale ‘vrasje’ si bashkëkryes të veprës. Kemi ngritur aktakuzë edhe kundër Halil Mehmetaj për vepër penale shtytje në vepër të rëndë. Pas përfundimit të hetimeve dhe shqyrtimit të të gjitha provave, Prokuroria për të pandehurin Malsor Mehmetaj nuk ka arritur të vërtetojë dyshimin se i njëjti ka qenë i përfshirë në ndonjë mënyrë në krim, andaj Prokuroria ka marrë vendim që kundër tij t’i pushojë hetimet”, ka theksuar Gashi.
Tutje Prokurorja e rastit ka përmendur shumicën e specifikave që quan deri tek aktakuza e cila u ngrit sot. E njejta shprehi falënderim edhe ndaj Kompanisë “Facebook”, e “Viber”, që bashkëpunuan, në lidhje me këtë çështje.
“Deri më tash janë proceduar mbi 80 persona. Janë analizuar mbi 41 inçizime të kamerave. I janë nënshtruar kontrollit e sekuestrimit së paku 10 lokacione.
Janë siguruar informata nga Kompania “Facebook”, e Kompania “Viber”.“
Tutje Prokurorja Gashi, u shpreh se janë siguruar provat e mjaftueshme, për t’i shpallur fajtor të akuzuarit.
“Kemi arritur të sigurojmë prova. Ato gjenden në dispozidiv të aktakuzës.”
Nuk ka indikacione për sulm terrorist
Në këtë konferencë gjithashtu u bë e qartë se nuk ka indikacione për sulm terrorist, por sipas Prokurores Gashi, kryesi e kishte organizuar mirë krimin, duke u përkujdesur për të gjitha detajet: Qysh nga koha e kryerjes e deri te mënyra e shmangies nga vendi.
Menjëherë pas ngjarjes Policia ka ndërmarë veprimet e nevojshme. Është formuar ekipi miks, ku janë përfshirë hetuesit më të mirë. Nga hetuesit janë nxjerrë të gjitha informatat e hyrje-daljeve nga pikat kufitare. Përshkak të kushteve të rënda atmosferike që kanë mbretëruar ato ditë, ekipet e forenzikës kanë kryer krehjen e vendit të ngjarjes, pasi shiu kishte penguar këqyrjen e vendit të ngjarjes. Gjurmimi ka qenë i pamundur.
Janë identifikuar të gjithë personat dhe mjetet që kanë lëvizur atë kohë në këtë vend. Janë siguruar inqizimet, në të gjith zonën e levizjes së autobusit.
Nuk ka indikacione për sulm terrorist. Targeti i sulmit ishte shoferi i Autobusit e krimi u krye nga një planifikim i mirë, me shumë gjasë kryerësi në atë moment ishte i maskuar. Koa e përzgjedhur, përkatësisht itenerari. Shtirja e kryerësit sikur i dehur për ta detyruar shoferin ta ndalë Autobusin.
Zhdukja e kryerësit, na jep indikacione se Ai e njihte mirë zonën.” – ka thënë Gashi.
Çka dihej deri tash?
Autobusi plot me nxënës ishte gjuajtur me automatikë, duke lënë të vdekur shoferin dhe dy nxënës të tjerë.
Vrasja e trefishtë që ka ndodhur në Gllogjan të Deçanit më 26 nëntor të vitit 2021.
Ky akt makabwr u krye në orën 19:00 më 26 nëntor 2021, përderisa një autobus po transportonte nxënësit nga Gjakova për në Deçan, ku u sulmua me kallashnikov. Nga ky sulm kanë mbetur të vdekur tre persona, shoferi i autobusit dhe dy nxënës.
Më 11 dhjetor të vitit 2021, Prokuroria Themelore e Pejës, saktësisht Kryeprokurori Agim Kurmehaj, kishte mbajtur konferencë për media dhe kishte njoftuar se janë arrestuar tre të dyshuar për rastin.
Gjithashtu, në shkurt të këtij vitit është arrestuar edhe një tjetër i dyshuar, e që sipas raportimeve në media, është familjar i tre personave që ishin arrestuar më parë./Nacionale.com/