Sot në Bruksel do të mbahet takimi i radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Takimet e ndara që do të nisin në orën 09:00, do të vazhdojnë pastaj me takim trepalësh.
Para takimit trepalësh, Bashkimi Evropian ka njoftuar për takimin e të enjtes, më 14 shtator, ndërmjet kryeministrit të Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq, në Bruksel. Sipas njoftimit të BE-së, dy liderët do t’i pres në takim përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell.
Borell së bashku me përfaqësuesin special të BE-së për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak do të zhvillojë takime të veçanta me liderët përkatës që nga ora 9:00 e mëngjesit, pasuar nga një takim i përbashkët trepalësh.
Takimi do të fokusohet në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, si dhe çështjet aktuale, njofton BE.
“Do të ketë një deklaratë për mediet nga përfaqësuesi i lartë në përfundim të takimeve në godinën e EEAS. Deklarata për shtyp e Josep Borrell do të transmetohet drejtpërdrejte”, thuhet në njoftim që e ka bërë më herët BE.
Kryeministri Albin Kurti, të hënën, ia ka konfirmuar emisarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gatishmërinë për t’u angazhuar në negociata aktive gjatë takimit të së enjtes.
Kryeministri Kurti dje ka zhvilluar edhe një takim me ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot, me të cilin ka diskutuar dhe për takimin e sotëm të nivelit të lartë në Bruksel, pritjet nga ai takim dhe për rëndësinë e zbatimit të plotë, të shpejtë dhe pa kushte të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i kanë realizuar shtatë takime brenda dy vjetësh, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli. Takimi i tetë pritet sot më 14 shtator.
Takimi i 14 shtatorit mes Kurtit dhe Vuçiqit është i pari prej kur janë rritur tensionet në veri të Kosovës.