Pavarësisht freskimit të dukshëm që ka sjellë fundjava pas valës së nxehtësisë ekstreme me temperatura që arritën deri në 42.5°C në Klinë, tashmë masat e nxehta janë rikthyer, duke ngritur termometrin deri në 34°C në disa zona të Kosovës, sipas Meteo Kosova.
Megjithatë, ditën e hënë pritet një ndryshim dramatik i kushteve të motit. Masa të ftohta dhe të lagështa do të shoqërohen nga një ciklon i fuqishëm, që do të shkaktojë destabilizim atmosferik. Fillimisht, moti do të mbetet i thatë, por pasditja do të sjellë vranësira të fuqishme dhe mundësi për rrebeshe intensive shiu dhe breshëri.
Në disa zona, këto kushte mund të përfshijnë shkarkesa rrufesh dhe stuhira të shoqëruara me erëra të forta dhe breshër të madh. Temperaturat pritet të bien ndjeshëm, me një ulje që mund të arrijë deri në 15°C.