E premte, 15 Nëntor, 2024

Suspendohet dhe arrestohet një zyrtar policor, dyshohet se u përfshi në sherr pas një aksidenti në trafik

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës është suspenduar nga puna dhe është arrestuar mbrëmë pasi u përfshi në një konflikt i cili rrodhi si pasojë e një aksidenti në trafik, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas njoftimit të Inspektoratit Policor të Kosovës, polici që ishte jashtë detyrës zyrtare, dyshohet se është përfshirë në një përleshje fizike.

“Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës dje në orët e mbrëmjes kanë pranuar një informacion nga Policia e Kosovës lidhur me një aksident trafiku më dëme materiale në mes dy automjeteve  ku ishte përfshirë edhe një zyrtar policor (jashtë detyrës zyrtare me veturë private). Sipas informacionit të pranuar palët e përfshira në këtë aksident nuk kanë arritur të gjejnë mirëkuptim lidhur me mënyrën e procedimit dhe për këtë arsye e kanë njoftuar policinë. Në ndërkohë (para se të arrinte njësia e patrullës policore)  si rezultat i fjalosjes dhe mosmarrëveshjeve dyshohet se nga dy të dyshuar (përfshirë këtu zyrtarin policor jashtë detyrës zyrtare) është sulmuar njëra palë e përfshirë në këtë aksident”, thuhet në komunikatën për media.

IPK njofton se pas veprimeve hetimore, polici dhe i dyshuari tjetër janë arrestuar dhe me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Sulm’.

Po ashtu, zyrtari policor është suspenduar nga puna, ndërsa veprimet tjera do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe në koordinim me prokurorinë kompetente.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer