Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se drejtori i Administratës në Komunën e Leposaviqit, njëherit djali i Zëvëndësministrit të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete Nikolla Radimiroviq, është arrestuar sot nga policia e Serbisë.
Radimiroviq është dërguar në stacionin e policisë serbe në Rashkë.
“Ai së bashku me të fejuarën e tij po mbahen të arrestuar për arsyen e vetme se Nikolla është pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe se së bashku me babanë e tij në vazhdimësi i kanë rezistuar presionit të Beogradit dhe bandave të tyre”, tha Sveçla në Facebook.
Sveçla e ka thënë se ky arrestim i padrejtë është edhe një dëshmi e qasjes destruktive e destabilizuese të qeverisë së Serbisë dhe hakmarrje pas vendimit që Kosova të jetë nikoqire e lojërave mesdhetare 2030.
“Kërkojmë nga Beogradi që urgjentisht të lirojë Drejtorin Radimiroviq dhe të fejuarën e tij dhe të ndalojë presionet e aktet e jashtëligjshme ndaj shtetasve të Kosovës, veçanërisht ndaj atyre të etnisë serbe të cilët janë lojal ndaj shtetit të tyre, Republikës së Kosovës, e në shërbim të të gjithë qytetarëve të saj”, deklaroi Sveçla.