Wednesday, October 29, 2025

‘Takim në naj far qyshi diku’: Thaçi i VV’së në Obiliq kërkoi ta shihte biznesmenin tinëz

Mesazhe turpëruese të Halil Thaçit drejtuar pronarit të një prej bizneseve më fitimprurëse në Obiliq janë publikuar të marten në mbrëmje.

Biseda është publikuar nga Besnik Zymberi, pjesë e kompanisë ‘All Zone’ Sh.p.k., një ditë pasi Thaçi e përmendi emrin e tij gjatë debatit televiziv për kryetar të Obiliqit në Kallxo.com.

Thaçi, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Obiliqit, e akuzoi kryetarin aktual Xhafer Gashi për favorizimin e kompanisë së familjes së Zymberit në tenderë publikë.

Një ditë pas akuzave, Zymberi publikoi një mesazh turpërues që Thaçi ia kishte dërguar në platformën e komunikimeve të Meta-s, Messenger, vetëm një muaj më parë.

Në këtë mesazh të datës 19 tetor të këtij viti, Thaçi i kërkonte biznesmenit Zymberi takim në katër sy larg syve të publikut “në naj far qyshi dikun”.

“Mirengjes o shoku Bes! A e pim naj kafe veq une ti naj far qyshi dikun”, i shkruante Thaçi, Zymberit, tregon komunikimi.

Kërkesën për takim “në naj far qyshi”, biznesmeni nga Millosheva e Obiliqit tha se e kishte refuzuar. Tha se ndoshta ky është shkaku i sulmeve të Thaçit kundër tij dhe familjes.

“Kohëve të fundit, unë rrjedhimisht familja ime po atakohemi shpesh në mënyrë të padrejtë nëpër debate për pështje me të cilat nuk kam asnjë lidhje”, shkroi Besnik Zymberi në një postim në rrjetin social Facebook të martën. “Ndoshta arsyeja është pse unë nuk po takohem nëpër ‘qyshe’”.

Kompania ‘All Zone’ Sh.p.k., zyrtarisht në pronësi të Ragip Zymberit, e fitoi tenderin për zgjerimin e sistemit të ngrohjes në Obiliq, disa muaj pasi e përfundoi shtrirjen e rrjetit të ngrohjes në disa lagje të Prishtinës.

Tenderët e kësaj kompanie ishin subjekt i një debati të ashpër mes dy kandidatëve për kryetar të Obiliqit të hënën.

Thaçi i Vetëvendosjes e lidhi kryetarin aktual të Komunës së Obiliqit me kompaninë. Tha se bëhet fjalë për “shokë të kryetarit” Xhafer Gashi.

“Z. Gashi ka dashur që shokëve të tij t’ua ndajë tenderëve. Kryesori, ai që e fiton tenderin e koogjenerimit, është lobuesi kryesor i Xhafer Gashit. Besnik Zymberi, kush është?”, pyeti Thaçi në debatin në Kallxo.com.

Gashi i mohoi kategorikisht akuzat për favorizim të kompanisë ‘All Zone’.

“Besnik Zymberi punon në një kompani, nuk e di a është ai pronari”, tha Gashi. “Nuk janë të vërteta këto. Ti as nuk i ke parë faktet”.

Xhafer Gashi, kryetari aktual i Obiliqit do të përballet me Thaçin e Vetëvendosjes në balotazhin e zgjedhjeve lokale më 9 nëntor. Në raundin e parë të zgjedhjeve, Gashi doli i pari me 46 për qind të votave, ndërsa Thaçi i dyti me 44 për qind.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer