E martë, 26 Nëntor, 2024

Të dy blloqe jashtë prodhimit, Kosova brenda ditës po importon miliona euro rrymë

Importi i sasisë së madhe të rrymës është pasojë e rënies nga prodhimi i dy blloqeve të termocentralit Kosova B. Kosova ka pasur gjatë ditës së enjte minus 520 megavatë-orë rrymë të prodhuar nga kapacitetet vetanake, dhe, praktikisht e tërë kjo sasi e rrymës kushtimisht është siguruar nga importi.

Sot (e enjte, 7 nëntor 2024), Kosovës i ka kushtuar importi i energjisë elektrike 1,5 milionë euro, import ky i nevojshëm për të përmbushur nevojat e konsumit të shtuar të rrymës.

Importi i sasisë së madhe të rrymës është pasojë e rënies nga prodhimi i dy blloqeve të termocentralit Kosova B, që do të thotë se për këtë shkak, Kosova ka pasur gjatë ditës së enjte minus 520 megavatë-orë rrymë të prodhuar nga kapacitetet vetanake, dhe, praktikisht e tërë kjo sasi e rrymës kushtimisht është siguruar nga importi.

Të enjten, që nga mëngjesi, kur ka rënë edhe blloku i dytë i Kosovës B nga procesi i prodhimit për shkaqe të defekteve teknike (blloku i parë ka rënë gjatë orëve të natës ndërmjet të mërkurës dhe të enjtes), sistemi elektroenergjetik i Kosovës ka pasur gjithsej vetëm 260 megavatë orë, sasi kjo e prodhuar nga dy blloqet e Kosovës A (A4 dhe A5), të cilat veç e veç kanë kapacitetin e prodhimit nga 130 megavatë.

Megjithë kërkesën e redaksisë së Buletinit Ekonomik drejtuar shërbimit përkatës në KEK për informacion më të detajuar për rënien e blloqeve të Kosovës B, (pyetjeve të drejtuar edhe me shkrim në zyrat e Shërbimit për informim të KEK-ut dhe përpjekjeve për t’i kontaktuar nëpërmjet telefonit zyrtarët e këtij shërbimi), deri në orët e pasditës nuk morëm asnjë përgjigje nga KEK-u, ndërsa burime të sigurta tonat, konfirmojnë rënien e njësive të Kosovës B nga puna.

Por, pavarësisht heshtjes së KEK-ut, për rënien e Kosovës B nga prodhimi, flet edhe sasia enorme e importuar e rrymës. Ndërsa, siç ka njoftuar zëdhënësi i KEDS-it sot, Lulzim Krasniqi, shpenzimi i rrymës në konsumin e Kosovës ka arritur në 930 megavatë-orë, që është sasi shumë e lartë dhe që ka kushtëzuar koston ditore të importit prej 1, 5 milionë eurosh.

Deri në mbylljen e këtij teksti, nga KEK-u nuk ka informacione se sa do të zgjatë rikthimi i Kosovës B në procesin e prodhimit, Por, dihet se derisa do të jetë ky termocentral në “pushim”, Kosova do të shpenzojë shumë para për importin e energjisë elektrike për nevojat e veta. Aq më shumë, kur dihet tani se edhe çmimet në tregjet ndërkombëtare të rrymës janë në ngritje e sipër. Sot, bie fjala në bursën hungareze të energjisë elektrike, prej nga më së shumti importon Kosova rrymë në rast të nevojave, çmimi mesatar gjatë ditës i një megavati energji ishte 163 euro, ndërsa gjatë pikut ky çmim ka shkuar në 203 euro për një megavat-orë. /Buletini Ekonomik/

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer