E shtunë, 21 Shtator, 2024

Të “mësuar” me garën në elitë, te Drenica misioni është i qartë – kthimi në Superligë

Më 6 maj të vitit të kaluar, Drenica humbi ndeshjen nga Trepça ’89 e po ashtu gjasat për të siguruar mbetjen në Superligën e Kosovës në futboll. Drenica ra për herë të parë në rangun e dytë të futbollit kosovar. Rënia u prit rëndë, por u tejkalua.

Të “mësuar” me garën në elitë, te Drenica misioni është i qartë – kthimi në Superligë.

Skuadra nga Skënderaj e ka nisur mirë edicionin 2024/2025 të Ligës së Parë. Është lidere e Grupit A me dhjetë pikë.

Në klubin kuqezi besojnë se kanë potencial për t’u kthyer në Superligë.

“Kemi ndërtuar një skuadër mjaft të mirë me shumë emra cilësorë në futbollin kosovar dhe me lojtarë të rinj shumë të talentuar. Po ashtu mendoj se jemi një staf që vlerësoj se jemi shumë profesionalë. Po bëhet një punë e madhe, nga kryesia, ne si staf dhe futbollistët dhe mendoj se jemi me meritë në vendin e parë”, ka thënë trajneri i Drenicës, Megzon Visoka.

KOHA të martën ka përcjellë nga afër stërvitjen e Drenicës. Gjatë stërvitjes dëgjoheshin vetëm instruksionet e Visokës dhe ndihmësve të tij, Sami Geci e Robert Gjeraj. Geci e Gjeraj kanë qenë prej emrave të vlerësuar në futbollin kosovar.

Geci është ikonë e futbollit drenicas.

“Që një skuadër ta arrijë objektivin e caktuar, duhet grupi të jetë i bashkuar dhe harmonia të jetë brenda grupit. Një gjë e tillë është në nivel të lartë. Shumica prej tyre kanë luajtur bashkë dhe kjo na ka ndihmuar që edhe harmonia të jetë në nivelin më të mirë të mundshëm”, është shprehur Visoka.

Drenica ka shumë futbollistë që në të kaluarën kanë luajtur gjatë në Superligë.

Kreshnik Uka është njëri prej tyre. Uka është zhvilluar te Drenica. Te skuadra e fëmijërisë u kthye pas paraqitjes me Prishtinën në elitë.

“Kemi bërë punë të mirë, stafi dhe lojtarët. Jemi në vendin e parë, por kjo nuk do të thotë asgjë. Nuk duhet të kënaqemi, por të vazhdojmë ndeshje pas ndeshjeje, për të hyrë në Superligë. Besoj se do të jemi aty lart”, ka thënë Uka.

Arbios Thaçi është tjetër lojtar i kthyer te Drenica, me mision për inkuadrim në Superligë.

“Është herët të flitet se a do ta mbajmë vendin e parë apo jo. E rëndësishme është të vazhdojmë me hapa të sigurt dhe ta mbyllim vjeshtën këtu ku jemi. Kemi ekipin dhe potencialin të vazhdojmë kështu. Kemi bërë punë të mirë në përgatitje dhe besoj se do të vazhdojmë kështu”, thotë Thaçi.

I bindur se Drenica do të kthehet në Superligë është edhe kapiteni, Shkëlzen Lushtaku.

“Është një grup i shëndoshë. Mendoj se me formën që e kemi, kualitetin në skuadër, nuk do ta kemi problem kthimin në Superligë, edhe pse ka mjaft xhiro. Por me këtë punë dhe qasje, besoj se Drenica do të kthehet aty ku e ka vendin”.

Drejtori sportiv, Fisnik Lushtaku, vlerëson se lojtarët kanë arsyetuar besimin.

“Lojtarët deri më tash e kanë arsyetuar veten. Mendoj që duke u komponuar edhe pak, do ta vazhdojmë këtë ritëm deri në fund për ta ruajtur vendin e parë dhe të kthehemi në Superligë, aty ku e kemi vendin”, ka thënë Lushtaku.

Për ta realizuar misionin, Drenica duhet ta fitojë garën me rivalë të fortë. Në grup me Drenicën janë Trepça ’89, Trepça, Vëllaznimi, Liria e skuadra të tjera me nam.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer