Rastet kur fotografitë dhe videot e vajzave dhe grave, të cilat mund të cenojnë privatësinë dhe integritetin e tyre, keqpërdoren nga persona të ndryshëm në rrjete sociale, janë në rritje e sipër. E shpesh herë, viktima janë vajzat e mitura, të cilat përpos që bien pre e keqpërdorimeve, përballen edhe me shantazhe e kërcënime të ndryshme, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë i ka ndodhur së fundi një vajze në Podujevë, e cila ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se e mitura në shoqërinë e xhaxhait të saj, ka dhënë dëshminë lidhur me rastin, ku ka deklaruar se i janë keqpërdorur fotografitë e saj private.
Sipas 17-vjeçares këto fotografi nudo dyshohet se i ka shpërndarë ish i dashuri i saj, të cilit ia kishte dërguar gjatë kohës që kanë qenë në lidhje.
Si rezultat i denoncimit, 19-vjeçari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të iniciohet rasti për veprën penale ‘Keqpërdorim i fëmijëve në pornografi’ dhe ‘Shtrëngim’.