Gjuajtjet me armë zjarri janë bërë të shpeshta në vendin tonë, duke cenuar kështu sigurinë e qytetarëve të cilët ka rast kur mund t’u rrezikohet jeta si pasojë e plumbave qorr.
Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar së fundi edhe në fshatin Korroticë e Epërme në Drenas, ku plumbat kanë goditur gomat e një kamioni i cili po lëvizte në drejtim të Fushë Kosovës.
Sinjali mëson se shoferi i kamionit ka deklaruar në Polici se ka dëgjuar krismat e armëve, mirëpo nuk e ka ditur se bëhet fjalë për të shtëna, duke bërë kështu që të vazhdojë rrugën e tij.
Mirëpo për atë se çfarë ka ndodhur, u njoftua pasi dërgoi gomat për riparim, e ku u vërejt se dëmet janë shkaktuar nga plumbat si dhe brenda njërës gomë është gjetur një predhë plumbi.
Momentalisht nuk dihen personat e dyshuar që kanë shkrepur armën, mirëpo janë marrë veprimet ligjore që të zbardhen rrethanat në të cilat ka ndodhur rasti.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Përdorim i armës’, teksa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.