Në bombardimet izraelite në Rripin e Gazës, mbetën të vrarë gruaja dhe katër fëmijët e një mjeku palestinez, raporton Anadolu.
Që nga fillimi i sulmit izraelit, ky mjek palestinez punon pa pushim në një spital. Ditë e natë ndihmon të plagosurit që mbërrijnë në spital orë pas ore.
Megjithatë, ai nuk arriti të shpëtojë familjen e tij. Gruaja dhe fëmijët e tij mbetën të ngujuar nën rrënoja për ditë të tëra. Ekipet në terren arritën të nxjerrin trupat e tyre.
Sipas informacioneve të fundit, të paktën 2.848 palestinezë, duke përfshirë 750 fëmijë, janë vrarë në sulmet ajrore izraelite në Gaza, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.
Gaza po përjeton një krizë humanitare pa energji elektrike, ndërsa uji, ushqimi, karburantet dhe furnizimet mjekësore po mbarojnë. Civilët po ikin drejt jugut pas paralajmërimeve izraelite për të evakuuar zonat veriore.
Luftimet filluan kur Hamasi nisi sulme të shumta të befasishme më 7 tetor që përfshinin breshëri raketash dhe inkursione në Izrael nga toka, deti dhe ajri. Hamasi tha se sulmi ishte hakmarrje për bastisjet e mëparshme në xhaminë Al-Aksa dhe rritjen e dhunës nga kolonët izraelitë.
Si kundërpërgjigje, ushtria izraelite nisi një operacion kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës.