Gazeta Sinjali dje ka raportuar për një rast të rëndë të dhunës në familje që ka ndodhur në rrugën ‘Dibra’ në Mitrovicë, ku një burrë dyshohet se ka tentuar ta privojë nga jeta bashkëshorten e tij duke tentuar që ta godas me sëpatë. I dyshuari u arrestua dhe përfundoi në ndalim policor.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Arben Dërvarin, 54-vjeçar, ndaj të cilit është parashtruar edhe kërkesa për caktimin e masës së sigurisë në gjykatën kompetente.
Sinjali mëson nga burimet brenda Gjykatës Themelore në Mitrovicë se është aprovuar kërkesa e Prokurorisë dhe Dërvari tashmë ndodhet nën masën e paraburgimit për 30 ditë.
54-vjeçari do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje në tentativë’.
Por si kishte ndodhur ngjarja?
Gjithçka dyshohet se ndodhur në orët e pasdites, në shtëpinë e tyre, kur para syve të fëmijëve, i Arben Dërvari mori një sëpatë dhe tentoi ta godas bashkëshorten e tij.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se gruaja është viktimë e dhunës në familje që një kohë të gjatë, pasi burri i saj në vazhdimësi ka ushtruar dhunë psikike, por deri në këtë pikë nuk kishte eskaluar asnjëherë.
Sinjali mëson se rasti që ndodhi dje tronditi gruan dhe fëmijët e saj, të cilët e shpëtuan nënën, kur babai i tyre iu vërsul për ta goditur me sëpatë dhe ata ndërhynë, para se të ndodhte diçka më e rëndë për gjithë familjen.
Bazuar në dëshminë e viktimës, të dhënë para hetuesve policorë, motiv i dhunës që ajo po përjeton janë telashet me bashkëshortin, që kanë ardhur si rezultat i xhelozisë së tij, që kaloi në dhunë fizike.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.