Fushë Kosovë, sot — Zgjedhja e kryetarit dhe kryesisë së Kuvendit Komunal të Fushë Kosovës ka shkaktuar reagime të forta brenda strukturave dhe elektoratit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Sipas përfaqësuesve lokalë dhe zërave të shumtë brenda bazës së partisë, vota e kryetarit të degës së PDK-së, Rrahim Terrnava, dhe asambleistëve Ermal Dumani dhe Aida Alimi, në favor të kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), përbën “një akt të thyerjes së besimit dhe devijim nga linja politike e PDK-së”.
Në mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal, këta tre përfaqësues të PDK-së morën pjesë në votimin që rezultoi me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit nga radhët e VV-së dhe anëtarëve të kryesisë.
Ky veprim është interpretuar nga struktura të PDK-së në Fushë Kosovë si i papranueshëm, i papërputhshëm me parimet e partisë dhe i dëmshëm për besueshmërinë politike para elektoratit.
Burime nga dega e PDK-së në Fushë Kosovë thonë se veprimi i këtyre tre përfaqësuesve ka shkaktuar zhgënjim të thellë te votuesit e partisë.
Sipas reagimeve, mbështetja e tyre ndaj kandidaturave të VV-së shihet si një lëvizje që bie ndesh me vendimet e partisë, me pritjet e anëtarësisë dhe sidomos me besimin që elektorati ua ka dhënë në zgjedhjet e fundit.
Po ashtu, përfaqësues të bazës së PDK-së pretendojnë se kjo nuk është hera e parë që Terrnava, Dumani dhe Alimi kanë vepruar në kundërshtim me linjën zyrtare të partisë.
Sipas tyre, edhe në raundin e balotazhit për kryetar komune, ka pasur dyshime se votat e tyre kanë shkuar drejt favorizimit të VV-së, duke cenuar koalicionin lokal PDK-LDK.
Si pasojë e zhvillimeve të sotme, një pjesë e anëtarëve dhe simpatizantëve të PDK-së në Fushë Kosovë po kërkojnë që organet qendrore të ndërmarrin masa të menjëhershme disiplinore ndaj të përfolurve, duke theksuar se “në një parti me vlera të larta patriotike dhe parimore nuk ka vend për individë që veprojnë kundër interesave të saj”.
Në reagimet publike, zyrtarë partiakë dhe aktivistë kanë theksuar se “historia politike e PDK-së nuk do ta harrojë këtë episod”, ndërsa kanë kërkuar rikthim të unitetit dhe përgjegjësisë politike brenda degës së Fushë Kosovës.