Kanë mbetur edhe disa muaj deri në zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë.
Këto zgjedhje janë të rëndësisë së veçantë për qytetarët, për shkak të zgjedhjes së përfaqësuesve të tyre në ulëset e Kuvendit të Kosovës si dhe të drejtimit të institucioneve kyçe në vend.
E pak muaj para nisjes së fushatë zgjedhore, Komisioni Qendror Zgjedhor ka publikuar raportet e shpenzimeve të tremujorit korrik-shtator 2024 të subjekteve politike, të cilat janë të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Raportet e bëra publike nga KQZ-ja përfshijnë shpenzimet e ndryshme, si ato për blerje të mallrave, shpenzime logjistike, për marketing, qira e shpenzime të tjera, transmeton lajmi.net.
E sipas këtyre sipas raporteve bëhet e ditur që më së shumti gjatë kësaj kohe ka shpenzuar Lëvizja Vetëvendosje (LVV), gjithsej 351 mijë e 708 euro.
Pas Lëvizjes Vetëvendosje radhitet Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka shpenzuar përgjysmë më pak gjatë kësaj periudhe kohore. Gjithsej 160 mijë e 137 euro shpenzoi PDK.
E treta radhitet Lidhja Demokratike e Kosovës, parti kjo e cila si subjekt politik shpenzoi 147 mijë e 841 euro.
Kurse partia e drejtuar nga Ramush Haradinaj, AAK ka shpenzuar 80 mijë e 944 euro.
Këto raporte tre mujorëshe financiare i janë dorëzuar Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës.
“Lëvizja Vetëvendosje (LVV) 351.708.80 euro, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), 80.944.96 euro, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 147.841.20 euro, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 160.137.65 euro”, janë shpenzimet e katër partive politike.