Presidenti amerikan, Donald Trump, ka dalë me një deklaratë të fortë për Kosovën, teksa ka thënë se paraardhësi i tij në detyrë, Joe Biden, i ka dëmtuar perspektivat e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë përmes vendimeve “budallaqe” që ka ndërmarrë.
Gjatë një publikimi në Truth Social, ku ka folur për konfliktin mes Izraelit dhe Iranit, ai ka shkruar disa rreshta pikërisht për Kosovën:
“Gjithashtu, gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova po e përballonin me forcë, siç kanë bërë për shumë dekada, dhe ky konflikt i gjatë ishte gati të shpërthente në LUFTË. Unë e ndalova atë (Biden ka dëmtuar perspektivat afatgjata me disa vendime shumë budallaqe, por do ta rregulloj përsëri!)”.
Në të njëjtin postim, Trump përmendi ndërmjetësimet e tij edhe në konfliktet mes Indisë dhe Pakistanit, si dhe Egjiptit dhe Etiopisë, duke paralajmëruar se së shpejti do të arrihet paqe edhe mes Izraelit dhe Iranit.
Trump ka deklaruar shpesh se nën udhëheqjen e tij, administrata amerikane kishte arritur suksese të rëndësishme në politikën e jashtme, përfshirë nënshkrimin e marrëveshjes ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë në Uashington më 2020.