Bayern Munich thirri mbrojtësin e tij të krahut, Noussair Mazraoui për një shpjegim të mërkurën pasdite për të diskutuar pasojat e mundshme të postimeve të tij pro Palestinës. Marokeni më pas mungoi në stërvitjen e ekipit të enjten.
Sipas informacioneve të “sport.de”, Bayern do të shpallë një vendim për rastin Mazraoui të enjten pasdite. Klubi kryesor i Mynihut komentoi për herë të fundit këtë rast të hënën e kaluar.
“FC Bayern kontaktoi Noussair Mazraoui menjëherë pas postimeve të tij në Instagram të dielën. Lojtari është aktualisht në Afrikë me kombëtaren e Marokut. Pas kthimit të tij, është planifikuar një bisedë e detajuar personale me menaxhmentin e klubit në Mynih”, thuhet në deklaratën e pare.
Sipas “Bild”, biseda ka ndodhur pasditen e së mërkurës. Prandaj, pozicioni i Bayern u bë më se i qartë për Mazraoui.
Në njoftim, kompania me bazë në Mynih kishte theksuar tashmë: “Pavarësisht kësaj, të gjithë, përfshirë çdo punonjës, çdo lojtar, e dinë se çfarë vlerash përfaqëson Bayern. Ne tashmë i kemi bërë publike këto në një postim menjëherë pas sulmit terrorist mbi Izraelin dhe jemi shprehur qartë. Ne kujdesemi për miqtë tanë në Izrael dhe qëndrojmë me ta”.
25-vjeçari kishte shpërndarë një video në rrjetet sociale duke u uruar palestinezëve një fitore në konfliktin me Izraelin. Reprezentuesi maroken ndau një klip të shkurtër në të cilin një zë thotë në stilin e një lutjeje: “Zoti i ndihmoftë vëllezërit tanë të persekutuar në Palestinë, që ata të arrijnë fitoren. Zoti i mëshiroftë të vdekurit, Zoti i shëroftë të plagosurit”.
Mazraoui ndau postimin me fjalën “Ameen” (Amen) dhe një emoji duarsh që luten.
Paraditen e së enjtes, ylli i Bayern-it ka munguar në stërvitjen e skuadrës së Thomas Tuchel, siç kanë vërejtur “Bild” dhe “Sky”. Në vend të kësaj, ai përfundoi trajnimin individual të vrapimit në Sabener Strasse.
Megjithatë, sipas “Sky”, fillimisht është e paqartë nëse mungesa e mbrojtësit në stërvitjen e ekipit është pasojë e parë e postimit të tij të kritikuar rëndë në Instagram për luftën mes Izraelit dhe grupit terrorist islamik Hamas.