Tuesday, February 24, 2026

‘Urrejtja’ e Sami Lushtakut ndaj Hysni Mehanit – bllokohet KPF-ja, rasti trajtohet edhe nga Avokati i Popullit

Komiteti për politika dhe financa i Kuvendi Komunal i Skenderajt vazhdon të jetë i bllokuar tash e pesë muaj. Pa u konstituar KPF-ja, organ ku duhet të kalojnë të gjitha vendimet para se të shkojnë në kuvend për miratim, çdo vendim i kuvendit konsiderohet i jashtëligjshëm. Praktikisht, kuvendi po funksionon pa kryesi.

Kanë kaluar pesë muaj që nga zgjedhjet lokale, por PDK dhe Sami Lushtaku nuk kanë arritur ta funksionalizojnë punën e organit më të lartë komunal. Bllokimi ka ardhur pasi PDK nuk pranon që Hysni Mehani të jetë pjesë e KPF-së.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje në Skenderaj, përmes asamblistit Nezir Bejta, ka këmbëngulur që propozimi për këtë pozitë të jetë pikërisht Mehani.

Fillimisht, PDK i kishte marrë LVV-së vendin që i takonte në KPF duke zgjedhur asamblisten Donika Mustafa nga radhët e saj. Ky vendim u shpall i jashtëligjshëm nga MAPL, pasi ligji nuk lejon që një subjekt t’ia marrë vendin një subjekti tjetër.

Në një seancë tjetër, PDK kishte zgjedhur si anëtare të KPF-së asamblisten e LVV-së Floriana Halili pa pëlqimin e saj. Ajo u ankua në MAPL dhe te Avokati i Popullit, duke kundërshtuar përfshirjen pa vullnet. Edhe ky vendim u shpall i jashtëligjshëm.

Sipas informacioneve të Rajoni, rasti është trajtuar edhe nga Avokati i Popullit, pasi konsiderohet i pazakontë që një përfaqësues të zgjidhet në një organ politik pa pranuar vetë.

Situata ka mbetur e njëjtë: vendi i takon LVV-së, por PDK nuk pranon kandidatin e propozuar prej tyre. Mbetet të shihet nëse KPF-ja do të konstituohet në seancën e radhës, e cila pritet të mbahet këtë të premte.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer